Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti nënkryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Shqipërisë, zonjën Arta Dade

, 10.05.2008




Bashkëpunimi ndërparlamentar, sidomos ndërmjet komisioneve për punë të jashtme të Parlamentit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimi në fushën e diplomacisë parlamentare ishin tema bosht të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me nënkryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Shqipërisë , zonjën Arta Dade.

Në prononcimin para medieve kryeparlamentari Krasniqi theksoi se në këtë takim u bisedua për format konkrete të bashkëpunimit ndërparlamentar, sidomos në lëmin e punëve të jashtme. Ne, tha kryeparlamentari Krasniqi , kemi nevojë për të shfrytëzuar traditën gati një shekullore shtetërore të Shqipërisë , sidomos kur është fjala për bashkëpunimin me shtetet e jashtme. Në këtë vështrim , theksoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ishim të një mendimi se kemi nevojë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Arta Dade ne fillim shprehu kënaqësinë për këtë vizitë në shtetin e pavarur të Kosovës. Ajo u zotua se Shqipëria do të angazhohet edhe më tutje për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga shtete të tjera të botës. Po kështu do të vijojnë përpjekjet për pranimin e Kosovës edhe në mekanizmat euroatlantik. Do të jemi gjithnjë të angazhuar në avancimin e të gjitha proceseve që zhvillohen në Kosovë, theksoi Arta Dade.

Në një pyetje drejtuar kryeparlamentarit Krasniqi rreth zgjedhjeve që planifikohen nga Serbia të mbahen edhe në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se ato zgjedhje janë ilegale dhe nuk do të kenë ndikim në Kosovë. Ato janë edhe një përpjekje e Beogradit për të manipuluar me serbët e Kosovës, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës , Jakup Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi priti nënkryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të  Shqipërisë, zonjën Arta Dade