Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, nis vizitën në Slloveni

, 13.05.2008




Me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Sllovenisë, France Cukjati, sot filloi vizitën zyrtare dyditëshe në Lubjanë një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilit i prin kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Në përbërje të delegacionit janë edhe anëtarët e Kryesisë : Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Nexhat Daci dhe Slobodan Petroviq.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi bashkë me anëtarët e delegacionit, në fillim u takua me kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, France Cukjati. Në këtë takim u fol për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale politike dhe ekonomike ndërmjet Sllovenisë e Kosovës. Pikësynim i Sllovenisë tha France Cukjati është stabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i tij në BE. Z. Cukjati, pasi theksoi se Sllovenia gjithnjë do të jetë në mbështetje të Kosovës, çmoi lart politikën që po ndjek Kosova ndaj pakicave. Në takim u fol edhe për çështjen e marrëdhënieve ndërfqinjësore në Rajon, përkatësisht vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe fqinjve, pra edhe me Serbinë.

Kryeparlamentari Krasniqi gjatë takimit foli edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët, të cilët duan të punojnë, studiojnë , ose të merren me afarizëm me vendet evropiane. Në fund të këtij muaji do të mbahet një tubim i parlamentarëve evropianë në Bruksel , ku do të diskutohet edhe për liberalizimin e vizave . Të dy delegacionet ishin unik në mendimin se ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë duhet të forcohen edhe më tej marrëdhëniet në të gjitha fushat, si: në lëmin ndërparlamentar, në ekonomi, arsim, shëndetësi etj. Delegacioni nga Kosova shprehu kërkesën që Sllovenia edhe më tutje të vazhdojë përpjekjet drejt integrimit të Kosovës në mekanizmat evroatlantik, si dhe angazhimet për njohjen ndërkombëtare të Kosovës edhe nga ana e shteteve të tjera të botës.

Pas takimit u organizua edhe një konferencë për shtyp , në të cilën kryeparlamentari Krasniqi u përgjigj në shumë pyetje lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, siç janë Kushtetuta, roli i EULEX-it etj.

Delegacioni Parlamentar i Kosovës u takua edhe me kryetarin e Komisionit për Politikat e Jashtme të Parlamentit të Sllovenisë, z. Jozef Jerovesek, ndërsa pas dite do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme Dimitrije Rupel.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, nis vizitën në Slloveni