Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, përfundoi vizitën zyrtare në Slloveni

, 14.05.2008




Delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilit i priu kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në përbërje të të cilit ishin edhe anëtarët e Kryesisë : Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Nexhat Daci dhe Slobodan Petroviq, përfundoi vizitën dyditëshe zyrtare në Slloveni dhe sot u kthye në Prishtinë. Delegacioni Parlamentar i Kosovës në këtë vizitë ishte me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Sllovenisë, gjatë së cilës delegacioni parlamentar i Kosovës u takua me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, France Cukjati, me ministrin e Punëve të Jashtme, Dimitrije Rupel, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Parlamentit të Sllovenisë. Në prononcimin para medieve në Aeroportin e Prishtinës, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se ishte kjo një vizitë mjaft e frytshme dhe miqësore. Me këtë rast delegacioni parlamentar njoftoi mikpritësit me zhvillimet aktuale në jetën parlamentare dhe në atë shoqërore ekonomike të Kosovës.

Gjatë takimeve të dy palët ishin unik në konstatimin se është i nevojshëm një thellim i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, mbështetur edhe në një traditë shumë të mirë që kanë këto shtete edhe më herët në shume segmente të jetës. Në këtë frymë u shpreh kërkesa që edhe më tutje Sllovenia të ofrojë ndihmesë dhe mbështetje për Kosovën, sidomos në aspektin e integrimit të vendit tonë në të gjithë organizmat evroatlantik.U kërkua që në këto rrjedha Sllovenia të jetë avokate e Kosovës.

Pos nga institucionet më të larta sllovene, përkrahje u ofrua edhe nga ana e bizneseve të Sllovenisë në lëmin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, theksoi kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, përfundoi vizitën zyrtare në Slloveni