Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 20.05.2008




Në seancën së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë gjashtë projektligje nga Propozimi i Marti Ahtisaarit. Projektligjin për arsimin në komunat e Republikës së Kosovës e ka prezantuar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Projektligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit e ka prezantuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, Projektligjin për menaxhimin e integruar dhe kontrollin e kufirit shtetëror dhe Projektligjin për azil e ka prezantuar ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, kurse Projektligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës e ka prezantuar ministri i Pushtetit Lokal, Arsim Bajrami.

Derisa pesë projektligjet e para janë miratuar pa ndonjë vërejtje qenësore, për Projektligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, ka pasur vërejtje nga Grupi Parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së pse nuk janë përfshirë në këtë projektligj 28 Nëntori-Dita e Flamurit, Dita e Çlirimit dhe Dita e Dëshmorëve.

Të gjashtë projektligjet e miratuara sot do të kalojnë edhe shqyrtimin e dytë në seancën e nesërme plenare, më 21 maj. Deri atëherë me to do të merret Komisioni ad-hoc parlamentar për shqyrtimin e projektligjeve nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit.

Mbledhjes së sotme të Kuvendit e kanë braktisur deputetët e Grupit Parlamentar të AKR-së.

Kryeparlamentari Krasniqi u ka deklaruar gazetarëve, pas përfundimit të seancës, se mbledhja e sotme e Kuvendit ka pasur rrjedhë normale. Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, e ka miratuar këtë rend dite dhe se nuk ka pasur ndonjë kërkesë me shkrim për procedim tjetër, u ka thënë Krasniqi gazetarëve.
Nga seanca plenare e Kuvendit