Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport

, 21.05.2008




Komisioni për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Drita Kadriu, zëvendëse e parë e këtij Komisioni, mbajti sot një dëgjim publik, në të cilin temё shqyrtimi kishte Projektligjin pёr Sponzorimet nё Kulturë, Rini e Sporte, i cili tashmë ka kaluar në leximin e parë në Kuvend.

Përfaqësues të Ministrisë dhe segmenteve përkatëse të kulturës , rinisë dhe sporteve bënë një debat të gjerë lidhur më këtë Projektligj, duke dhënë edhe shumë vërejtje, sugjerime e plotësime për pasurimin e tij. Kryefjalë e diskutuesve ishte se si të arrihet që me anë të këtij Projektligji të propozohen zgjidhje të atilla që do të stimulonin sponzorimet nga ana e bizneseve dhe subjekteve të tjera, në kulturë dhe sporte. Në këtë vështrim ata kërkonin që të krijohet një bazë e mirëfilltë e lehtësive fiskale për sponzoruesit, të cilët ndihmojnë këta lëmenj.

Ndër vërejtjet më të mëdha në këtë Projektligj ishin ato që kanë të bëjnë me disa paragrafe kundërthënëse ndërmjet tyre, si dhe me disa nene, të cilat bien në kontradiktë me rregulloret në fuqi për këtë çështje.

Nga ana e Komisionit u dha premtimi se këto vërejtje do të merren parasysh gjatë amendamentimit të Projektligjit, në mënyrë që të kemi një ligj sa më të mirë , i cili do të rregullonte çështjen e sponzorimit të kulturës dhe sportit , si dy lëmenj që mund të kontribuojnë, si në promovimin e vlerave , ashtu edhe në promovimin e shtetit të ri të Kosovës në botë.
Dëgjim publik në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport