Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
, 23.05.2008
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit, ka shqyrtuar propozimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e mjeteve financiare për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Anëtarët e Komisionit, pasi e kanë shoshitur propozimin e Qeverisë për lejimin e shumës prej një milion euro për financimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, njëzëri e kanë mbështetur këtë propozim. Komisioni i rekomandon Kryesisë së Kuvendit që seanca plenare ta miratojë këtë kërkesë të Qeverisë. Ministria e Punëve të jashtme do të financohet nga rezervat për implementimin e statusit. Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, po në këtë mbledhje, kanë diskutuar edhe për përgatitjen e një agjende shtesë të komisionit për mbështetjen e institucioneve të Kosovës për lobim tek shtetet e tjera për njohje sa më të shpejtë të shtetit të pavarur të Kosovës. Në takim janë shqyrtuar edhe çështje të tjera të mirëfunksionimit të komisionit.