Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në takimin e organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Asambleja Kombëtare e Sllovenisë

, 27.05.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës , Jakup Krasniqi, mbajti një fjalë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë, në takimin e organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Asambleja Kombëtare e Sllovenisë, që zhvillon punimet në Bruksel. Në fjalën e tij ai theksoi :”

I nderuar Kryetar i Parlamentit Evropian, zoti Hans-Gert POTTERING,
I nderuar Kryetar i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, zoti France CUKJATI,
Të nderuar kolegë parlamentarë,
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin e madh t’ju përshëndes në emër të Kuvendit të Kosovës dhe të delegacionit që kryesoj. Ky takim për Kosovën paraqet një ngjarje të rëndësishme të njohjes dhe të bashkëpunimit parlamentar, me Parlamentin Evropian, parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe në mënyrë të veçantë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Republika e Kosovës është përcaktuar për politikën e fqinjësisë së mirë, për integrime rajonale dhe evropiane. Është në interesin e të gjitha vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor që të udhëhiqen nga politika e re e bashkëpunimit dhe e partneritetit reciprok. Zgjidhja e statusit politik ka hapur rrugën e Kosovës për zhvillim demokratik, rritjen e përgjegjësisë politike, përmirësimin e ekonomisë dhe pajtimin ndëretnik. Ky realitet i ri do të forcojë stabilitetin e Kosovës, por edhe paqen e stabilitetin në rajonin tonë.

Kuvendi dhe institucionet tjera të Kosovës, me Deklaratën e Pavarësisë të miratuar më 17 shkurt 2008, me Kushtetutën e miratuar më 9 prill 2008, me pranimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Marrëveshje të Statusit të Kosovës, të paraqitur nga emisari i OKB, zoti Martti Ahtisaari, si dhe me miratimin e 25 ligjeve nga gjithsej 34 që dalin nga provizionet e këtij Propozimi, janë zotuar para qytetarëve të vet dhe bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën demokratike, të vlerave evropiane, me qytetarët e saj të barabartë, duke siguruar të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve pakicë, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Kosova do të jetë një faktor paqeje e stabiliteti i rajonit tonë.

Institucionet dhe populli i Kosovës janë të orientuar drejt demokratizimit dhe zhvillimit të vendit, ekonomisë së tregut dhe vendosjes së sundimit të ligjit, duke luftuar çdo formë të krimit. Në Kosovë mbretëron paqja dhe qetësia publike, rendi dhe stabiliteti politik.

Synimi dhe qëllimi ynë imediat është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Këshilli i Evropës, Organizata e Sigurisë dhe e Bashkëpunimit Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, por edhe në asociacione parlamentare rajonale e evropiane. Përcaktimi jetësor i Republikës së Kosovës për këto vlera, e kanë bërë atë një subjekt ndërkombëtar të besueshëm dhe tashmë të njohur nga dyzet e një vende, anëtare të OKB.

Prioritet strategjik i Kosovës do të jetë integrimi evropian. Samiti i Selanikut më 2003, përfundimisht ka hapur perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, prandaj Kosova angazhohet me përkushtim për përmbushjen e kritereve të integrimit. Që nga nëntori i vitit 2002, Komisioni Evropian ka hapur mundësinë e procesit të integrimit edhe për Kosovën, nëpërmjet të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asocimit, duke mbajtur deri tashti 13 takime midis Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Ky proces ka rezultuar i suksesshëm, nëpërmjet të partneritetit evropian të Kosovës, të strategjisë dhe të planeve të deritashme të veprimit. Përmbushja e rekomandimeve të Komisionit Evropian në Kosovë dhe zbatimi i standardeve para statusit, i kanë përmirësuar dukshëm, jetën demokratike, të drejtat e liritë e njeriut, të drejtat e komuniteteve pakicë, sundimin e ligjit, sigurinë etj.

Një sfidë e rëndë për Kosovën mbetet zhvillimi ekonomik dhe zvogëlimi i varfërisë. Duke qenë kusht i zhvillimit energjia, ne po bëjmë përpjekje për shfrytëzimin e resurseve të shumta natyrore, të cilat i bëjnë të mundur Kosovës që nga importuese, të kthehet në eksportuese të konsiderueshme të energjisë elektrike. Nëpërmjet të investimeve të kapitalit të brendshëm dhe të huaj si dhe me ndihmën e donatorëve, të cilët së shpejti do të mblidhen në një konferencë për Kosovën, ne besojmë në ngritjen e kapaciteteve të reja dhe shumë të fuqishme të termocentraleve, por edhe të alternativave të gjenerimit të energjisë. Kosova është e impenjuar në bashkëpunimin rajonal energjetik, por në të ardhmen do të jetë një faktor i rëndësishëm i këtyre marrëdhënieve.

Në funksion të kapërcimit të një gjendjeje të rëndë të kapaciteteve ekonomike, dhe të zhvillimit të përgjithshëm, ne presim rritjen e ndihmave të Bashkimit Evropian dhe interesimin gjithnjë më të madh të investitorëve të huaj në Kosovë. Dekadat e prapambetjes, si pasojë e politikës së ndjekur në Kosovë, nuk mund të riparohen shpejt pa mbështetjen e gjithanshme të Bashkimit Evropian.

Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë për investimet, faktorë si statusi i vendit, siguria, stabiliteti politik, infrastruktura adekuate ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore etj., prandaj Kosova po ndërmerr të gjitha masat që të krijojë kushte për tërheqjen e investitorëve të shumtë dhe të ndryshëm.

Kosova është vend stabil dhe i sigurt. Forcat e KFOR-it, të Policisë Ndërkombëtare dhe Shërbimi Policor i Kosovës, kujdesen për paqen dhe rendin në Kosovë. Së shpejti do të fillojë transformimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe ndërtimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Forcat e sigurisë dhe ushtria e ardhshme e Kosovës do të ngrihen sipas standardeve të NATO-s, sepse ne aspirojmë integrimin në NATO.

Bashkimi Evropian dhe NATO janë në Kosovë, që kjo nesër të jetë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kosova është e orientuar drejt paqes dhe mirëkuptimit. Ajo do të respektojë parimet themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integritetin territorial të vendeve fqinje.

Kosova tashmë është një vend i hapur dhe pret që edhe të tjerët të hapen ndaj saj. Të rinjtë kosovarë duan ta njohin Evropën, të shkollohen atje, të zhvillojnë biznese, të punojnë përkohësisht ose si stinorë në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe të kenë komunikim pa pengesa me familjarët që tashmë punojnë dhe jetojnë në këto vende. Kjo do të bëhet e mundur vetëm në saje të liberalizimit të vizave. Ne mendojmë që në përputhje me qëndrimin e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian duhet të jetë më i hapur ndaj tyre, e veçmas ndaj Kosovës”, tha kryeparlamentari Krasniqi.