Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 27.05.2008




Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, të drejtuar nga Bahri Hyseni, kryetar i komisionit, shefi i Seksionit të OSBE-së monitorim të sistemit ligjor, Mark Laser, ka raportuar për rastet e trafikimit me njerëz në Kosovë. Nga analiza e monitorim të sistemit ligjor, në planin e respektimit të drejtave të njeriut në ligjet që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore dhe prostitucion, është vërejtur të kuptuarit e pamjaftueshëm nga gjyqtarët të veprave penale të trafikimit, prandaj edhe këto vepra janë klasifikuar gabimisht. Në shumë raste, thuhet në raport, prokurorët dhe gjyqtarët kanë dështuar për të ndjekur penalisht të dyshuarit për trafikim, madje ka ndodhur që të dënohen viktimat e trafikimit dhe të prostitucionit dhe jo organizatorët e krimit. Laser ka theksuar se vëmendje në të ardhmen duhet kushtuar mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunimit me ta, me viktimat dhe me bashkëpjesëmarrësit e veprave penale të trafikimit.

Pasi e ka shqyrtuar propozim – vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, komisioni ka vendosur t’ia kthej atë ministrisë me kërkesën për shënime shtesë për kandidatët dhe me rekomandimin për propozim më gjithëpërfshirës.

Komisioni po në këtë mbledhje ka shqyrtuar propozimin e amendamenteve në projektligjin për ndërmjetësimin, raportin e Komisionit në Projektligjin për procedurën përmbaruese, si dhe ka përgatitur rekomandimet për procedim të Projektligjin për përfitimet e ish zyrtarëve të lartë.
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi