Lajmet e fundit

Përfundon konferenca në Bruksel

, 28.05.2008




Dje, më 27 maj 2008, përmbylli punimet me sukses Konferenca dyditore e Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi u bashkëkryesua nga kryetari i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pottering dhe kryetari i Kuvendit Kombëtar të Republikës së Sllovenisë, France Cukjati. Në takim, ndërkaq merrnin pjesë edhe kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, të cilët folën për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në takim, në të cilin merrte pjesë edhe delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, folën përfaqësuesit e parlamenteve nacionale evropiane dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. U vlerësuan rezultatet e arritura të këtyre vendeve në rrugë drejt BE-së.

Për Kosovën u fol me tone pozitive dhe inkurajuese.

Në fjalën e tij, në këtë sesion përmbyllës të konferencës, kryparlamentari Krasniqi u është drejtuar pjesëmarrësve me këto fjalë:” Ky takim i rëndësishëm rikonfirmoi edhe njëherë orientimin proevropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në njërën anë dhe politikën e Bashkimi Evropian për të mbështetur fuqishëm proceset integruese evropiane të rajonit tonë”. Presim që Bashkimi Evropian të vazhdojë të jetë i angazhuar për të ndihmuar shpejtimin e proceseve integruese të vendeve tona, ka theksuar Krasniqi, i cili ka pohuar se Kosova ka filluar procesin e pajtimit ndëretnik dhe të respektit e të tolerancës midis qytetarëve të përkatësive të ndryshme.

Jemi të vetëdijshëm për sfidat tona sidomos në fushën ekonomike dhe atë të reformave, por Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës janë të vendosur në angazhimin për ndryshime pozitive dhe për integrime evropiane të Kosovës, ka theksuar kreu i Kuvendit të Kosovës.

Në fund të mbledhjes u paraqitën konkluzionet dhe u mbajt një konferencë shtypi.

Kishte interesim të shumë medieve për prononcime të kryetarit Krasniqi, prandaj ia ka dhënë disa intervista, për konferencën dhe zhvillimet në Kosovë.

Sot në Bruksel do të mbahet një takim tjetër dyditor ndërparlamentar midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës.

Dy delegacionet kryesohen nga Doris Pak dhe Jakup Krasniqi. Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Ramë Manaj.

Në fund të takimit do të aprovohet një deklaratë e përbashkët e dy delegacioneve, respektivisht nga Pak dhe Krasniqi.

Kryetari Krasniqi do të pritet në takime të veçanta nga kryetari i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pottering dhe nga Doris Pak, kryetare e Komisionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore.