Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

, 27.05.2008




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i kryesuar nga z. Bojan Stojanoviq, kryetar i Komisionit, mbajti sot mbledhjen e rregullt në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i raportit lidhur me ndihmën për kthim të pakicave në Kosovë (SPAK PLUS), që e kishte përgatitur UNDP, më saktësisht Agjencia Partneriteti i Qëndrueshëm për Ndihmë të Kthimit të Pakicave në Kosovë. Raportin e lart theksuar e prezantoi menaxheri kryesor i Agjencisë Partneriteti i qëndrueshëm për ndihmë të kthimit të pakicave në Kosovë, z. Kim Vetting.

Në këtë mbledhje, duke folur për procesin e kthimit të pakicave në Kosovë, z. Kim Vetting theksoi që ky program (SPAK PLUS) filloi së aplikuari qysh në tetor të vitit 2005 dhe se i njëjti ofron një mekanizëm integral të ndihmës që është në dispozicion të të kthyerve dhe që është kombinuar, si për mbështetjen e kthimit të organizuar grupor, ashtu edhe të kthimit individual në Kosovë. Vlen të theksohet që, me qëllim të realizimit sa më të mirë të programit të përmendur të UNDP-së, Agjencia Partneriteti i qëndrueshëm për ndihmë të kthimit të pakicave në Kosovë, ka një bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, si dhe me qeveritë lokale që janë të vëzhguara drejtë për së drejti në procesin e kthimit të të gjithë atyre që kanë jetuar dhe punuar në Kosovë deri në vitin 1999. Qëllim kryesor i këtij programi-do të thotë i Programit SPAK PLUS ka qenë ndihma për një kthim të qëndrueshëm dhe riintegrim të atyre që kthehen, qoftë në mënyrë të organizuar, qoftë në formë individuale në Kosovë.

Në vazhdim, z. Vetting theksoi që deri në fund të marsit të vitit 2008, përmes këtij programi, 321 familje (me rreth 1.560 anëtarë) kanë marrë leje për dhënien e ndihmës banesore, ndërsa edhe 200 familje të tjera, me rreth 1.300 anëtarë) presin që ta marrin lejen për ndihmën e këtillë. Deri në fund të vitit 2008, në tërë territorin e Kosovës, u krye ndërtimi i gjithsej 273 shtëpive për të kthyerit dhe deri në fund të vitit 2008, kërkesën për këtë lloj ndihme e kanë parashtruar edhe 210 familje. Përmes programit të theksuar më lartë, në formë të shërbimeve dhe ndihmës socio-ekonomike, deri në fund të prillit të vitit 2008 është siguruar ndihmë për rreth 300 familje, pra kyçja e tyre në këtë program. Në fund të fjalës së tij, z. Vetting theksoi që përafërsisht 3.000 familje kanë shprehur dëshirën për t’u kyçur në procesin e kthimit, përkatësisht janë kyçur në projektin SPAK PLUS.

Në vazhdim të punës së kësaj mbledhjeje, disa nga anëtarët e Komisionit kritikuan punën e UNDP-së, përkatësisht realizimin e Programit SPAK PLUS, para se gjithash për faktin se projektet për kthimin e pakicave në Kosovë nuk kanë qenë të shpërndara në mënyrë të barabartë, por në shumë raste është favorizuar vetëm një bashkësi. Kritika mjaft të mëdha për punën e deritashme rreth kthimit të pakicave në Kosovë shkuan edhe në emër të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si dhe në adresë të zyrave komunale për komunitete, të cilat nuk i kanë përmbushur në tërësi detyrimet e tyre që dalin nga fushëveprimi i punës dhe që kanë qenë të obliguara t’i realizojnë. Po ashtu, kishte propozime për nxjerrjen e Ligjit për kthim dhe gjetjen e mekanizmit përmes së cilit do të kontrollohej realizimi i projekteve për kthim, sepse deri më tani në raste të shumta mjetet e destinuara për këtë lloj ndihme janë keqpërdorur.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim