Lajmet e fundit

Nga takimi parlamentar ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian

, 29.05.2008




Gjatë vizitës në Bruksel të delegacionit parlamentar të Kosovës, dje kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është pritur nga zonja Doris Pack, kryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore. Kryeparlamentarin Krasniqi e shoqëronte anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, kurse në takim merrte pjesë edhe Kryetari i Parlamentit Evropian, zoti Hans-Gent Pottering.

Në takimin është bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për sfidat pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e vendit. Është biseduar gjithashtu për zhvillimet e fundit në Kosovë, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për mbështetjen që mund t’i bëjë Kosovës Parlamenti Evropian.

Po dje ka filluar punimet takimi i parë dyditor midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës.

Dy delegacionet kryesoheshin nga Doris Pak dhe Jakup Krasniqi, kurse në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj dhe përfaqësuesi i UNMIK-ut, Franklin DeVrieze.

Ë këtë takim ndërparlamentar ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian është biseduar për perspektivat e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe për Kushtetutën e cila garanton të drejtat maksimale për minoritetet në Kosovë.

Me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi e ka vlerësuar angazhimin e Unionit Evropian dhe të strukturave të tij për Kosovën dhe popullin e saj. “Ne e çmojmë lart politikën e Bashkimit Evropian dhe të Parlamentit Evropian për mbështetjen e gjithanshme Kosovës, kontributin personal të zonjës Pack dhe aktualisht përkushtimin intensiv për Ballkanin Perëndimor, duke e vënë lart në agjendë perspektivën e tij të sigurt evropiane”, ka thënë Krasniqi. Ai e ka garantuar zonjën Pack se Kuvendi dhe institucionet tjera të Kosovës janë tërësisht të angazhuar në realizimin e objektivave që e çojnë vendin tonë drejt stabilitetit të qëndrueshëm politik, shoqërisë multietnike, institucioneve demokratike të forta dhe drejt zhvillimit ekonomik. Kosova, ka theksuar kreu u legjislativit të vendit, ka hyrë në rrugë të pakthyeshme të pavarësisë dhe të integrimit evropian, të demokracisë dhe të prosperitetit të vazhdueshëm.

Takimi vazhdon edhe gjatë ditës së sotme për pikat tjera të agjendës dhe do të aprovohet një deklaratë e përbashkët.

Në sallën ku mbahej takimi krahas flamurit të Bashkimit Evropian ishte ekspozuar edhe flamuri i Republikës së Kosovës.