Lajmet e fundit
Deklarata e përbashkt Kuvendi Kosovës-Parlament Evropia
, 30.05.2008
PARLAMENTI EVROPIAN, DELEGACIONI PËR MARRËDHENIE ME VENDET E EVROPËS NË JUGLINDORE
KUVENDI I KOSOVËS, DELEGACIONI PJESËMARRËS TAKIMIN E PARË NDËR-PARLAMENTAR
DEKLARATË E PËRBASHKËT
Si rezultat i takimit të parë ndërparlamentar, të zhvilluar në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, në Bruksel, me 28 dhe 29 maj 2008, Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian, Doris Pack dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhanë deklaratën në vijim.
1. “Ne jemi të kënaqur me rezultatet e takimit të i cili është zhvilluar në një moment mjaft delikat për regjionin e Ballkanit Perëndimor, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të dy palët jemi të bindur që në vitet në vijim të zhvillojmë takime të rregullta duke intensifikuar kështu marrëdhëniet tona ndër-parlamentare. Ne theksojmë se dialogu intensiv ndërparlamentar dhe bashkëpunimi në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, por edhe bashkëpunimi në mes të parlamenteve të rajonit ka rëndësi të veçantë në procesin e stabilizim asocimit dhe procesit të anëtarësimit në BE
2. Të dy delegacionet e vlerësuan kushtetutën e re të Kosovës, e cila përputhet me standardet e parapara në propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ne e theksojmë rëndësinë e zbatimit të plotë të dispozitave të saj.
3. Sidoqoftë, urgjentisht duhet të sqarohet korniza juridike dhe të përcaktohen përgjegjësitë e Kombeve të Bashkuara dhe misionit të BE-së në Kosovë, sepse këto të fundit nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht funksione të njëjta. Ne kërkojmë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara që të përkujdeset për procesin e tranzicionit dhe të njeh EULEX-in si pjesë të prezencës ndërkombëtare në Kosovë, e që vepron në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Ne gjithashtu kërkojmë nga vendet anëtare të BE-së që të mbështesin misionin e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës dhe të qëndrojnë unik ashtu siç qëndruan në momentin kur u vendos për themelimin e tij.
4. Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë rrugën e tyre drejt marrjes së pronësisë mbi përgjegjësitë politike dhe implementimin e standardeve me qëllim të ndërtimit të një shoqërie demokratike multietnike dhe funksionale. Kjo do t’i mundësojë Kosovës të bëhet vend i qëndrueshëm dhe të integrohet në institucionet Evropiane. Prezenca e Unionit Evropian në Kosovë do të garantojë në mënyrë të veçantë mbrojtjen e plotë të drejtave të minoriteteve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për ta, përderisa përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi institucionet e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
5. Delegacionet me kujdes e kanë shqyrtuar raportin e fundit të progresit të përgatitur nga Komisioni Evropian në nëntor të vitit 2007, në të cilin theksohen qartë disa çështje kritike që ndërlidhen me kriteret politike dhe ekonomike për integrim në Unionin Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm që agjenda politike në muajt e fundit ka qenë e dominuar nga zgjedhjet, negociatat rreth statusit, vendimi i Kuvendit për shpalljen e pavarësisë së vendit, shqyrtimi e aprovimi i Kushtetutës dhe miratimi i ligjeve që dalin nga propozimi gjithëpërfshirës për statusin. Megjithatë, ne presim nga institucionet e Kosovës që me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar të veprojnë dhe të përqendrohen tek evitimi i dobësive dhe problemeve kryesore me të cilat përballen institucionet e Kosovës. Andaj, reformat duhet të intensifikohen.
6. Çështjet e integrimeve evropiane duhet të diskutohen vazhdimisht dhe problemet eventuale të luftohen përmes një bashkëpunimi më të mirë në mes të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës dhe një bashkëveprimi më të theksuar në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile. Ndërhyrjet politike në administratën publike dhe korrupsioni nuk duhet të tolerohen. Ne kërkojmë nga Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë të jenë veprojnë me vendosshmëri në implementimin e politikave antikorrupsion. Luftimi i korrupsionit dhe krimit është një nga faktorët më të rëndësishëm që institucionet të fitojnë besimin e qytetarëve. Institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të drejtë dhe transparente. Autoritetet e Kosovës duhet të vazhdojnë procesin e definimit të kompetencave në mes të autoriteteve qendrore dhe atyre lokale, me qëllim të organet e pushtetit lokal të marrin pronësinë mbi çështjet publike dhe të jenë më efikas e më afër qytetarëve, për t’u përmirësuar atyre kualitetin e jetës.
7. Respektimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë duhet të jenë prioritete absolute. Liria e shprehjes dhe liria e lëvizjes janë ndër të drejtat më të rëndësishme civile dhe politike të cilat kërkojnë mbrojtje më të madhe në Kosovë. Për mbrojtjen e tyre kërkohet vullneti i shtuar politik dhe përfshirja e forcimi i shoqërisë civile. Kthimi i të zhvendosurve, reformat në pushtetin lokal, ofrimi i shërbimeve për të gjitha komunitetet e veçanërisht për minoritarët duhet të sigurohen përmes pjesëmarrjes aktive të serbëve dhe komuniteteve tjera në Institucionet e Kosovës dhe administratën publike. Qëllimi i këtyre elementeve është paralizimi dhe shpërbërja e institucioneve paralele. Ne përshëndesim pjesëmarrjen e përfaqësuesve serb në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës dhe e inkurajojmë komunitetin serb dhe komunitet tjera që jetojnë në Kosovë të vazhdojnë angazhimin e tyre për integrim të plotë në shoqërinë e Kosovës. Ne e inkurajojmë Qeverinë të angazhohet veçanërisht në zbatimin e strategjisë së vitit 2007 për edukim, e cila përmban një sërë masash progresive ndaj minoriteteve.
8. Ne kërkojmë dhe presim nga Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera relevante që të intensifikojnë veprimet e tyre në vendosjen dhe sundimin e ligjit, përderisa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të konkretizohet me veprime specifike. Unioni Evropian do të luajë rol të rëndësishëm në këtë sektor, përmes misionit të EULEX-it në çështjet që kanë të bëjnë me gjyqësinë, policinë dhe doganat.
9. Kosova me sukses ka marrë pjesë në disa iniciativa për bashkëpunim regjional, por kur flasim për bashkëpunimin me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, Kosova duhet të marrë masa shtesë dhe të garantojë mbrojtjen e dëshmitarëve.
10. Ne jemi të shqetësuar për pasojat negative në zhvillimin ekonomik të cilat kanë ardhur si rezultat i sistemit të paqartë juridik dhe procesit të gjatë të definimit të statusit, por Kosovarët duhet të jenë më aktiv dhe të marrin në duart e tyre çështjet e zhvillimt ekonomik, mirëqenies dhe ambientit ku jetojnë. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, investimet dhe punësimi ndikojnë në stabilitetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Për këtë arsye, Qeveria menjëherë duhet të dorëzojë një plan të detajuar për zhvillim ekonomik, duke u përqendruar veçanërisht në zhvillimin rural dhe bujqësinë veçanërisht tani kur pritet konferenca e donatorëve. Delegacionet kanë shqyrtuar edhe shqetësimin e OSBE-së në lidhje me rregullativat dhe instruksionet e komplikuara në procesin e privatizimit dhe kërkojnë që Agjencioni i Mirëbesimit të veprojnë në mënyrë më transparente dhe në përputhje me dispozitat Evropiane për mbrojtjen e të drejtës mbi pronësinë. Të pritet nga autoritetet kosovare që të miratojnë legjislacionin e nevojshëm dhe kornizën ligjore për të garantuar të drejtën mbi pronën dhe kompensimin eventual në pronarëve në rast të dëmtimit të pronës.
11. Ne i kemi mirëpritur iniciativat e ndërmarrura nga Sllovenia në cilësinë e kryesueses, si dhe qëllimet e Francës si kryesuese e radhës në Këshillin e Unionit Evropian që janë të drejtuara nga forcimi i perspektivës së Kosovës drejt integrimeve evropiane, perspektivë kjo e cila ndahet me vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë.