Lajmet e fundit
Krasniqi priti përfaqësuesin e ZCN-sënë Kosovë, Pieter Feith
, 30.05.2008
Proceset aktuale politike në Kosovë, çështjet e bashkëpunimit të mëtejmë të Kosovës me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, si dhe vizita e delegacionit të Kosovës në krye me Jakup Krasniqin në Parlamentin Evropian në Bruksel, ishin tema thelbësore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, me përfaqësuesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, z. Pieter Feith. Në këtë vështrim z. Pieter Feith e përgëzoi kryeparlamentarin për këtë vizitë mjaft të suksesshme, gjatë së cilës pos aktiviteteve tjera , delegacioni parlamentar i Kosovës ka mbajtur një takim me parlamentarë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe një takim me Parlamentin Evropian .Ndërkaq, në vijim z. Pieter Feith theksoi se njohja ndërkombëtare e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje nga ana e shteteve të BE-së dhe shtetet e tjera të botës.
Në vijim z. Pieter Feith tha se është i impresionuar me punën që ka bërë Kuvendi i Kosovës, nën udhëheqjen e kryeparlamentarit Krasniqi, sidomos me aprovimin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe të ligjeve. Ai tha se do të mbështesim Qeverinë e Kosovës për sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Në këtë aspekt edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë do të ushtrojë funksionin e vet në mbarë territorin e Kosovës.