Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti anëtarin e Bundestagut të Gjermanisë, z. Hans- Peter Bertels

, 03.06.2008




Thellimi i bashkëpunimit ndërparlamentar dhe proceset aktuale në Kosovë , ishin tema thelbësore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me anëtarin e Bundestagut të Gjermanis , z. Hans- Peter Bertels. Me këtë rast z. Bertels theksoi se Gjermania gjithnjë angazhohet për Kosovën. Për të debatohet edhe në Parlament. Kjo do të thotë se Gjermania është shumë e interesuar të bashkëpunojë me Kosovën, duke ditur se vendi juaj është shtet sovran, i cili ecën drejt një gjendjeje normale. Duke pasur si qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar jemi të interesuar që me deputetët kosovarë të kemi grupe të përbashkëta, ashtu si kemi edhe me shtete të tjera, siç është rasti me SHBA-të.

Në vijim deputeti gjerman tha se është shumë i impresionuar kur sheh debatet ndërmjet deputetëve kosovarë, të cilat janë shumë normale, që është shenjë se demokracia në Kosovë nuk do të ketë probleme. Z.Bertels foli edhe për çështjen e profilizimit të partive politike në Kosovë, duke ndier edhe shqetësimin e deputetëve kosovarë lidhur me atë se si do të profilizohen ato. Ndër segmentet , ku gjithashtu do të mund të zhvillohej një bashkëpunim mjaft i frytshëm , z. Bertels përmendi fushën e arsimit, duke propozuar që universitetet gjermane të kenë partneritet me universitetet në Kosovë, duke krijuar mundësi që edhe maturantët nga Kosova të mund të studiojnë në universitetet gjermane. Në këtë frymë, theksoi z. Bertels, Gjermania ka nevojë për krahë punë, por edhe për krah punë të profesionalizuar.

Pasi shprehu falënderimet e tij për kontributin që i jep Gjermania proceseve të gjithëmbarshme nën Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të rezultateve të arritura, sidomos kohëve të fundit në Kosovë, duke aprovuar edhe Kushtetutën dhe simbolet shtetërore të Kosovës. Në pyetjen se cilat janë prioritetet e Qeverisë së Kosovës gjatë dy vjetëve të ardhshëm , kryeparlamentari Krasniqi tha se ndër prioritetet themelore janë:stabiliteti politik,zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë , sundimi i ligjit dhe zhvillimi i arsimit.
Kryeparlamentari Krasniqi priti anëtarin e Bundestagut të Gjermanisë, z. Hans- Peter Bertels