Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 03.06.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin ftuar të merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka vendosur që të mërkurën, më 4 qershor, të thërrasë mbledhjen plenare të Kuvendit për të shqyrtuar për herë të parë pesë projektligje nga Grupi i katërt i këtyre projektligjeve nga Propozimi i Martti Ahtisaarit: Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Projektligji për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, Projektligji i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Projektligji për themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës, si dhe Projektligji për hekurudhat e Kosovës. Këto projektligje, si edhe të tjerët nga Propozimi Gjithëpërfshirës, do të do të miratohen sipas procedurës së veçantë.

Kryesia po në këtë mbledhje ka shqyrtuar Propozim-projektin “Java e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, i cili parasheh kontakte të drejtpërdrejta të kryetarit të Kuvendit, të anëtarëve të kryesisë dhe të deputetëve të zonave me asambletë komunale dhe me qytetarë të komunave të ndryshme të Kosovës.

Për shkak të agjendës së ngjeshur të Kuvendit të Kosovës, Kryesia ka vendosur që këto aktivitete, të cilat do të quhen “Ditët e Kuvendit”, do të bahen gjatë muajit shtator apo tetor.

Kryesia ka vendosur që të shpallë konkurs për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës.

Duke e shqyrtuar kërkesën e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me zvogëlimin e pagës për deputetët e Kuvendit, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, Kryesia ka vlerësuar se një veprim i tillë nuk është në kompetencë të saj, por ka kërkuar që të veprohet sipas ligjit.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me shkresën e disa deputetëve lidhur me mënyrën e kryesimit të seancës plenare të dt. 20 majit 2008. Në mbledhje është pohuar se procedimi ka qenë konform mocionit të cilin e kanë votuar deputetët lidhur me shqyrtimin e projektligjeve nga Propozimi i Martti Ahtisaarit.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit