Lajmet e fundit

Konferencë për media e deputeteve Edita Tahiri dhe Donika Kadaj-Bujupi lidhur me konferencën “Looking beyond transitin”, mbajtur në Tiranë

, 09.06.2008




Deputetet e Kuvendit të Kosovës, znj. Edita Tahiri dhe znj. Donika Kadaj-Bujupi, organizuan sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, një konferencë për media lidhur me konferencën “Looking beyond transitin” që është mbajtur në Tiranë, më 3 dhe 4 qershor 2008,organizuar nga Parlamenti i Shqipërisë , në bashkëpunim me Rrjetin Parlamentar të Bankës Botërore.

Duke folur për përmbajtjen e kësaj konference, në të cilën morën pjesë mbi 30 shtete, shumica vende në tranzicion, Edita Tahiri theksoi se temat kryesore që u shqyrtuan me këtë rast ishin klima e investimeve , problemi i ngritjes së çmimeve , si dhe mplakja e popullsisë. Nga ana e delegacionit të Kosovës, në kuadër të të cilit ishte edhe deputetja Kosara Nikoliq, u fol posaçërisht për kushtet që po krijon Kosova për të joshur investuesit nga bota për të investuar në Kosovë. Kosova ka potenciale të mëdha mineralesh, infrastrukturë,moshë të re punëtorësh dhe sistem të konsoliduar bankar, si dhe parakushte të tjera që mundësojnë investime të frytshme.

Donika Kadaj- Bujupi në këtë konferencë më shumë ishte përqendruar në ngritjen e kapaciteteve energjetike,sidomos kur është fjala për “Kosovën C”. Lidhur me këtë, në këtë konferencë kishte perceptime të ndryshme, sidomos rreth kostos së sigurimit të filtrave që do të mundësonin mbrojtjen e ambientit, por edhe dilema se mos në një të ardhme do të mund të merrej vendimi nga BE për mospërdorimin e termocentraleve me thëngjill. Mirëpo, duke ditur se Kosova disponon me rezerva të mëdha të thëngjillit, u tha se megjithatë është mirë të ndërtohet ky termocentral për të zgjidhur çështjen e mungesës së energjisë elektrike për disa dekada, madje edhe duke eksportuar një sasi në vendet e rajonit, ku ka mjaft kërkesa për energji.

Delegacioni nga Kosova gjatë kësaj vizite kishte edhe mjaft takime me udhëheqjen e Bankës Botërore, si dhe me delegacione të shteteve të Rajonit, si me atë të Bullgarisë,Shqipërisë, Kroacisë etj. Me këtë rast u fol për vazhdimin e njohjes së Kosovës edhe nga shtetet tjera , si dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore.
Konferencë për media e deputeteve Edita Tahiri dhe Donika Kadaj-Bujupi lidhur me konferencën “Looking beyond transitin”, mbajtur në Tiranë