Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit Për Buxhet dhe Financa

, 09.06.2008




Në mbledhjen e sotme të Komisionit Për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të cilën e kryesoi Gani Koci, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Raporti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për vitin 2007, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të Bordit të RTK-së. Gjatë debatit mjaft të gjerë u tha se ky raport ka disa mangësi dhe është mjaft i përgjithësuar. Në Raport nuk shihet se cili ka qenë Projeksioni i planeve financiare dhe sa janë realizuar ato. Në këtë vështrim u mor qëndrim që Raporti të plotësohet më vërejtjet e dhëna nga ky debat në mbështetje të Ligjit të menaxhimit të financave publike. Në disa diskutime u përmendën edhe njëanshmëri në politikën redaktuese të këtij mediumi, por mbretëroi mendimi se Komisioni gjatë shqyrtimit duhet të përqendrohet në anën financiare të Raportit.

Në vijim të mbledhjes u shqyrtua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-5 për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion, me amendamente. Komisioni pasi konstatoi se ky projektligj nuk ka implikime buxhetore e përkrahu për procedim të mëtejmë ( miratim ) në Kuvendin e Kosovës.
Mbledhja e Komisionit Për Buxhet dhe Financa