Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës

, 15.06.2008




Në solemnitetin me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:

” I nderuari President i Republikë së Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi,
I nderuar anëtar i Kongresit të SHBA, zoti Eliot Engel,
Të nderuar përfaqësues politikë, diplomatikë dhe ushtarakë ndërkombëtarë,
Zonja dhe zotërinj

Kam kënaqësinë e veçantë të flas sot para jush, në shënim të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Miratimi dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës është një moment i rëndësishëm dhe historik për çdo shtet dhe popull. Për Kosovën, rëndësia e Kushtetutës bëhet akoma më e madhe për faktin që është Kushtetuta e parë e Kosovës së pavarur, sovrane dhe demokratike.

Kushtetuta i bën Kosovës veshjen juridike të pavarësisë e sovranitetit, tashmë të njohur ndërkombëtarisht, sanksionon të drejtat e liritë themelore të njeriut, të drejtat e komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore si dhe përcakton marrëdhëniet ekonomike, sigurinë, institucionet e pavarura etj.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dokument bazë juridik dhe politik, i hartuar sipas vlerave të përparuara evropiane e botërore, ka hapur perspektiva të shkëlqyera të konsolidimit të demokracisë sonë të re, të ndërtimit të institucioneve të saj përkatëse, të stabilitetit politik e ekonomik dhe të kthimit të vendit tonë nga një vatër krize, në faktor paqeje e mirëkuptimi në rajon.

Me Kushtetutën ne i kemi ligjësuar standardet moderne shtetërore, barazinë qytetare, qeverisjen demokratike e shoqërinë shumetnike dhe kemi hapur mundësitë e zhvillimit të hovshëm, të ngritjes së mirëqenies së përgjithshme e të integrimeve euroatlantike.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës, si dokument i rëndësishëm politik dhe juridik, si dhe aprovimi i Himnit të Kosovës, përmbyllin kuadrin e dokumenteve dhe simboleve shtetërore, të cilat do të bëjnë të mundur funksionimin normal të Republikës së Kosovës. Institucionet e Kosovës, ashtu siç e kanë hartuar Kushtetutën në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, duhet bashkë të angazhohen për krijimin e kushteve të zbatimit të saj në gjithë territorin e Kosovës, sepse vetëm kështu mund të mbrohet edhe sovraniteti i vendit dhe të sigurohet funksionimi normal i pushtetit shtetëror.

Në Kosovën e re, ne po ndërtojmë një shoqëri demokratike, por për të funksionuar institucionet shtetërore të saj, duhet të ketë një sistem të vetëm ligjor, i cili buron nga Kushtetuta. Tendencat për ndarjen e Kosovës në zona të juridiksionit të ndryshëm çojnë drejt kantonizimit dhe ndarjes territoriale të vendit dhe rrezikojnë stabilitetin politik të tij, të krijuar me mund dhe përpjekje të përbashkëta të vendorëve dhe të ndërkombëtarëve. Zgjidhjet e ardhshme në Kosovë, janë integrimet e brendshme, rajonale e evropiane dhe jo enklavizimi e getoizimi në feudet juridike, sipas vijave etnike.

Janë tepër shqetësuese tendencat e disa qarqeve ndërkombëtare për prapakthimin e proceseve në Kosovë, që në kuptimin më të butë të fjalës, nuk i kontribuojnë zgjidhjeve, paqes, sigurisë e stabilitetit. Qarqe politike e shtetërore në Beograd e gjetkë po i ushqejnë pretendimet e ekstremistëve për ndarje të Kosovës, gjoja për interesin e qytetarëve tanë serbë, por ndarja nuk është e pranueshme për institucionet tona, për bashkësinë ndërkombëtare, madje as për shumicën e liderëve të komunitetit serb të Kosovës. Veprimet e kësaj linje politike, janë bërë faktor obstruksioni i zhvillimeve demokratike në Kosovë të cilat rrezikojnë mirëbesimin e frymën pajtuese, por edhe kredibilitetin e forcave integruese politike brenda radhëve të komunitetit serb.

Pavarësia e Kosovës është një akt historik, një realitet i njohur ndërkombëtarisht, i pakthyeshëm dhe i panegociushëm. Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta dhe gjithë legjislacioni i aprovuar sipas provizioneve të Pakos së Presidentit Ahtisari, në harmoni me bashkësinë ndërkombëtare, janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet zbatuar pa asnjë mëdyshje, sepse ky është interesi i të gjitha palëve, i qytetarëve të Kosovës, interesi i paqes e stabilitetit, fryma e marrëveshjes shumëpalëshe, prandaj edhe kompromisi ynë, përtej të cilit nuk mund të shkohet. Pa pavarësinë nuk mund të kishte kushtetutë, por pa zbatimin e plotë të Kushtetutës në gjithë Kosovën, nuk mund të flitet për pavarësi të plotë.

Rikonfirmimi i demokracisë perëndimore në Deklaratën e përbashkët në Samitin Amerikano-Evropian të Bërdos së Sllovenisë për mbështetje stabilitetit të Kosovës së pavarur, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të saj rajonal ishte shprehje e solidaritetit dhe partneritetit ndërkombëtar në përpjekjet tona për ndërtimin e një shoqërie dhe rendi të ri demokratik.

Në këtë kthesë historike të institucionalizimit kushtetues të pavarësisë së Kosovës, qytetarët tanë presin me të drejtë krijimin sa më të shpejtë të kushteve për transferimin e përgjegjësive tek institucionet sipas Kushtetutës në njërën anë dhe vendosjen e misionit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, në anën tjetër. Korniza e plotë ligjore e administrimi i mirë i saj dhe gjendja e qëndrueshme e sigurisë, janë dy shtyllat e stabilitetit, por edhe e investimeve e zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës.

Ne ftojmë edhe me këtë rast autoritetet e Beogradit, të mos pengojnë Kosovën në proceset e saj konsoliduese, të mos i instrumentalizojnë qytetarët tanë të komunitetit serb dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve, e bashkëpunimit rajonal, duke e njohur Kosovën subjekt të barabartë, sepse kështu i kontribuojnë frymës së pajtimit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit dhe integrimeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Qytetarët serbë në Kosovë dhe qytetarët shqiptarë në Serbi vetëm sa do të përfitojnë nga fqinjësia dhe miqësia e mirë midis dy vendeve tona.

Ne i ftojmë qytetarët serbë të Kosovës, t’i kthehen vetvetes dhe bashkatdhetarëve shqiptarë e komuniteteve tjera, t’i kthehen atdheut tonë të përbashkët, Kosovës së re për të ndërtuar jetën e përbashkët, për të ndërtuar të ardhmen tonë dhe mirëqenien e përgjithshme.

Ne duhet t’i zgjidhim duart vetes, për t’iu kthyer problemeve ditore dhe zhvillimit. Kosova për shkaqet e njohura historike ka humbur shumë kohë në proceset e reformimit, të demokratizimit e të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Në qoftë se vendet tjera të Gadishullit tonë, bëjnë nga një hap të zhvillimit, ne duhet të bëjmë dy, sepse duhet zënë ritmet e duhet kompensuar humbjet që i trashëguam nga e kaluara.

Garancitë që ofron Kushtetuta dhe orientimi i vendosur proevropian i Kosovës, hyrja e saj në proceset e pakthyeshme integruese euroatlantike, sigurojnë një Kosovë krejt të re me një kualitet të ri të bashkëjetesës dhe me standarde të larta të demokracisë, të të drejtave dhe të sigurisë. Në Kosovë është pamundësuar përfundimisht çdo formë intervencionizmi të jashtëm, por edhe revanshizmi të brendshëm.

Zonja dhe zotërinj

Këto ditë po shënojmë nëntë vjetorin e përfundimit të Luftës, çlirimit të Kosovës, hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe vendosjes së paqes. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për solidaritetin ndërkombëtar me të drejtën e Kosovës dhe me rindërtimin e saj fizik e institucional.

Në jetën e popujve, dita që e ndanë robërinë nga liria, mbetet në kujtesë të përjetshme si një moment lavdie e krenarie historike, si një kthesë e shpëtimit dhe e rilindjes. Shekulli i ri për Kosovën shënon mbylljen e epokës së robërisë dhe inauguron epokën e lirisë e të përparimit.

Me këtë fitore Kosova mbyll faqet e historisë së saj të dhembshme dhe krenare duke i hapë rrugë lirisë, demokracisë e prosperitetit të vendit e të popullit tonë.

Baza morale e luftës dhe e fitores së popullit të Kosovës qëndron në drejtësinë e pastërtinë e saj, në heroizmin vetëmohues të luftëtarëve e dëshmorëve të lirisë, në flijimin biblik të Jasharëve për lirinë dhe në solidaritetin e gjerë ndërkombëtar.

Përpjekjet shekullore për liri, demokraci e përparim dhe theroritë në emër të këtyre idealeve, popullin e Kosovës e kanë renditur në familjen e kombeve të nderuara e me kapital të madh moral.

Shpallja e Pavarësisë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës si dhe njohja ndërkombëtare e shtetit tonë, përbëjnë të arriturat historike në këtë gjysmëviti, por që rezultojnë nga dekada të përpjekjeve plot sakrifica që bëri populli ynë dhe Lëvizja e tij Kombëtare e rezistencës politike dhe ushtarake.

Kosova po e ndërton mirëbesimin dhe po e gëzon respektin ndërkombëtar, në saje të politikës së drejtë të brendshme dhe të jashtme si dhe me përpjekjet për Kosovën e re demokratike dhe evropiane.

Në vitin e dhjetë të fitores, Kosova po hyn si shtet i pavarur, sovran e demokratik, me rend të ri kushtetues e simbole shtetërore, me një stabilitet politik dhe frymë të tolerancës e të pajtimit ndëretnik. Kosova demokratike është atdhe i lirë i qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë, është shtet i së drejtës dhe i vlerave më të përparuara moderne”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.