Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti kongresistin amerikan, Eliot Engel

, 16.06.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili udhëheq një delegacion shumantarësh, në përbërje të të cilit janë edhe kongresistja Jean Schmidt, si dhe përfaqësues të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Duke i dëshiruar mirëseardhje delegacionit nga SHBA-të, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi e ka quajtur nder një vizitë të tillë pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Ai e ka vlerësuar kontributin e udhëheqjes së SHBA-ve, të diplomacisë, por edhe të strukturave ushtarake për mbështetjen e Kosovës dhe të popullit të saj. Jemi të vetëdijshëm, ka thënë Krasniqi, se pa ndihmën e vendit tuaj, Kosova sot nuk do të ishte në këtë stad të zhvillimit institucional dhe demokratik. Krasniqi pastaj ka folur për hapat që kanë marrë institucionet e vendit pas shpalljes së pavarësisë, siç janë miratimi i korpusit të ligjeve nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, të cilin institucionet e Kosovës e kanë pranuar për hir të ardhmërisë së vendit, megjithëse ishte një kompromis i dhimbshëm. Jemi përpjekur që t’i kryejmë obligimet ndaj qytetarëve, ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj SHBA-ve, ka thënë kreu i legjislativit të vendit, i cili ka nënvizuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës e dëshirojnë të ndërtojmënjë vend ku sundon rendi dhe ligji, me mundësi zhvillimi për të gjithë qytetarët e saj. Ai ka shprehur vullnetin e Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve të tjera për njohje sa më të shpejtë nga vendet anëtare të OKB-së, për anëtarësim në melanizmat ndërkombëtarë dhe për zhvillim të përshpejtuar shoqëror dhe ekonomik të vendit, duke përfshirë edhe investimet e huaja në Kosovë.

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka shprehur kënaqësi që ndodhet për vizitë në Kosovën e pavarur, ëndërr e tij e kamotshme, e bërë realitet, duke pohuar se ndjehet si qytetar i lumtur i Kosovës dhe se ndjehet krenar për atë që ka bërë vendi i tij për Kosovën. Ai, ndërkaq, ka theksuar se ende ka shumë punë për tu bërë, duke u zotuar se SHBA-të do t’i qëndrojnë përherë pranë Kosovës dhe duke u shprehur i bindur se demokracia do të zërë rrënjë këtu. Në vazhdim Engel ka folur për kontributin e madh të diasporës shqiptare në Amerikë për mbështetje të proceseve në Kosovë, por edhe për lobim të suksesshëm në sferat e larta amerikane për çështjen e Kosovës.

Duke premtuar vazhdimin e angazhimit të tij për mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës, Engel është interesuar të dijë për sfidat dhe vështirësitë aktuale të Kosovës.

Ndër problemet më të mëdha, me të cilat ballafaqohen institucionet e vendit, Krasniqi ka përmendur shtrirjen pushtetit të Kosovës në gjithë hapësirën e kufijve administrativ të saj; integrimin e qytetarëve serbë, të cilët vazhdojnë të frikësohen dhe pengohen nga Beogradi dhe Moska; strukturat paralele serbe, të cilat i kërcënojnë qytetarët serbë që duan të angazhohen për paqe dhe stabilitet në Kosovë, pastaj anëtarësimin e Kosovës në OKB; në BE dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar; zhvillimin ekonomik të vendit; joshjen e investitorëve të huaj dhe luftën kundër krimit.

Kongresistja, Jean Schmidt, ka dashur të dijë për politikat e vendit përballë mungesës së energjisë elektrike, që reflektohet negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit, kurse Krasniqi ka pranuar se vërtetë është paradoksale që vendi me resurse të mëdha energjetike, siç është bazeni i linjitit, të mos ketë energji të mjaftueshme për vete. Ai ka kritikuar politikën fiskale në të kaluarën dhe është shprehur i bindur se Qeveria e Kosovës do t’ia dalë mbanë betejës për jetësimin e projekteve të reja energjetike.

Në fund të takimit përfaqësuesi i komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, e ka quajtur mrekulli pavarësinë e Kosovës dhe ka premtuar se shqiptarët e Amerikës e kanë ndihmuar dhe do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti kongresistin amerikan, Eliot Engel