Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 17.06.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, shqyrtoi kërkesën e kompanisë “MEGA” – Gjilan, lidhur me ndërtimin e Qendrës Protokollare në Gërmi, dhe miratoi nismën për formimin e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Parlamentit të Turqisë.

Fillimisht, kryeparlamentari Krasnqi, i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë së Kuvendit me përmbajtjen e letrës së drejtuesve të kompanisë “MEGA” – Gjilan, se si punëkryes i Qendrës Protokollare në Gërmi, që nga 20 qershori i këtij viti nuk marrin asnjë përgjegjësi lidhur me objektin, materialet dhe sigurimin e mëtutjeshëm të objektit.

Kryesia, pasi ka debatuar gjatë për këtë çështje, ka marrë qëndrim që të krijojë një grup punues, të përbërë nga anëtarë të Kryesisë dhe Administrata e Kuvendit, për ta konstatuar gjendjen në Qendrën Protokollare në Gërmi dhe për të propozuar rrugëzgjidhje për këtë problem që vazhdon të zvarritet prej vitesh.

Duke e mbështetur nismën për formimin e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Parlamentit të Turqisë, Kryesia i ka porositur grupet parlamentare që ta propozojnë nga një anëtarë të tyre në këtë grup të miqësisë. Anëtar i Grupit të Miqësisë ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Parlamentit të Turqisë, do të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, kurse varësisht nga nevojat dhe aktivitetet, grupi më vonë mund të zgjerohet edhe me anëtarë të tjerë.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve, si dhe çështje të organizimit të punës së mekanizmave të Kuvendit. Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit