Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 19.06.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë u është përgjigjur vetëm ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi, ministrat e tjerë për të cilët gjithashtu kishte pyetje të deputetëve, mungonin me arsye (e shoqërojnë kryeministrin Thaçi në vizitë në Shqipëri).

Në vazhdim seanca ka proceduar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Armët, të cilin e ka prezantuar ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, si dhe me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë.

Me kërkesë të zëvendëskryeministrit, Ramë Manaj, është hequr nga rendi i ditës, për këtë seancë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-43 për Akreditimin, kurse me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së është hequr edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/48 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Pas një debati të gjatë të deputetëve lidhur me kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave për ridestinimin e mjeteve për investimet kapitale nga Projekti: “Kompleksi i ri Qeveritar” për Projektin: “Rinovimi i Pallatit të Medieve”, seanca, me shumicë votash të deputetëve, nuk e ka miratuar këtë kërkesë.

Megjithëse në rend dite të mbledhjes së sotme të Kuvendit ishte radhitur, si çështje urgjente, rekomandimi i Organit të Pavarur Përzgjedhës për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, me kërkesën e shefave të grupeve parlamentare, pak kohë pasi ka filluar shqyrtimi, çështja është shtyrë për seancën e radhës.

Nga seanca plenare e Kuvendit