Lajmet e fundit

Takim i Komisionit për Buxhet dhe Financa me një delegacion të Komisionit për Kontroll Buxhetor të Parlamentit Evropian

, 23.06.2008




Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës , të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, kishin sot një takim me një delegacion të gjerë të Komisionit për Kontroll Buxhetor të Parlamentit Evropian, i cili kryesohej nga z. Herbert BÖSCH. Pasi u shprehu mysafirëve kënaqësinë për këtë vizitë, në fillim Gani Koci i njoftoi ata me përbërjen dhe punën e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Ai tha se Komisioni punon me koncenzus dhe me përgjegjësi në të gjitha çështjet e shtruara, sidomos kur është fjala për projektimin e buxhetit. Mirëpo, kur është fjala për mbikëqyrjen e realizimit të buxhetit kemi pasur disa kufizime, ashtu si edhe në aspektin e komunikimit me Zyrën e Auditimit Gjeneral, meqë deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës, Komisioni nuk ka pasur kompetenca të duhura, përkatësisht kanë munguar mekanizmat e kontrollit. Si në fjalën hyrëse të Gani Kocit, ashtu edhe në diskutimet e anëtarëve të Komisionit, pasi u shpreh mirënjohje për donacionet që iu dhanë Kosovës, u theksua se donacionet në strukturën e tyre nuk ishin gjithnjë në pajtim me nevojat më parësore të qytetarëve të Kosovës. Në këtë frymë u përmend fakti që në kuadër të 2 miliardë eurove që iu dhanë Kosovës, rreth 800 milionë euro, u dedikuan për investime në KEK, por kur merret dhe analizohet çështja e këtyre investimeve, shumë vështirë është për të parë se ku janë investuar kaq shumë para, duke ditur se me aq para do të mund të ngriheshin kapacitete të reja energjetike për të përballuar krizën e rëndë që po përjeton Kosova në lëmin e energjisë.

Të gjitha këto çonin në konkluzionin se në paratë dhe investimet e donatorëve nuk ka pasur qasje ky Komision, përkatësisht nuk ka pasur mbikëqyrje dhe transparencë. Nëse mund të flitej për ndonjë transparencë në këtë lëmë, mbase mund të përmendet fakti se në një Zyrë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave janë të evidentuara të gjitha paratë që kanë ardhur nga donatorët. Por, brengoste çështja se nuk është ofruar qasje për mënyrën se si janë realizuar, përkatësisht si janë menaxhuar ato, pra donatorët vetë ofronin dhe vendosnin për paratë e tyre, pa i harmonizuar ato me kërkesat parësore të qytetarëve, ose të institucioneve.

Ndër shumë pyetjet e parlamentarëve evropianë, ishte edhe ajo se si është përqindja e buxhetit të Kosovës, sipas shfrytëzuesve. Lidhur me këtë u tha se 30 për qind e buxhetit i takon pagave dhe mëditjeve të shërbyesve civilë (rreth 80 mijë veta) , në mesin e të cilëve hyjnë edhe punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë.

Krijimi i rrethanave të reja pas pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, si dhe shpresa se EULEX-i do të këtë një qasje më të mirë ndaj çështjeve buxhetore dhe donacioneve, sillte te të pranishmit një ndjenjë më shpresëdhënëse në lëmin e buxhetit, pra si në qasje, ashtu edhe në menaxhim të tij. Në këtë frymë, të dy palët ishin të mendimit se bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet këtyre dy komisioneve do të japë fryte, duke ditur se Komisioni nga Kosova, ashtu si edhe të gjitha subjektet tjera të vendit, pra tërë Kosova si shtet, synojnë të integrohen e të veprojnë në kuadër të Bashkimit Evropian. Sot, si u tha nga të dy palët, u bë një hap shumë i afërt, i hapur e miqësor, për thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm.
Takim i Komisionit për Buxhet dhe Financa  me një delegacion  të Komisionit  për Kontroll Buxhetor të Parlamentit Evropian