Lajmet e fundit

Dëgjim publik mbi rrjedhën e gjertanishme të ngritjen e fletëparaqitjeve penale kundër atyre personave të cilët janë të akuzuar për krime lufte, të kryera në territorin e Kosovës

, 24.06.2008




Edhe pse janë të dyshuar afro 1.000 individë, kundër të cilëve ekzistojnë argumente mjaft te forta që kanë kryer krime lufte në territorin e Kosovës, vetëm kundër një numri simbolik, të këtyre të dyshuarve, është ngritur fletëparaqitje penale ose janë dënuar për veprat e kryera. Me këto konstatime ka filluar shqyrtimi i sotëm publik lidhur me rrjedhën e gjertanishme për ngritjen e fletëparaqitjeve penale ndaj atyre personave të cilët janë të akuzuar për krime lufte, të kryera në territorin e Kosovës, të cilin e ka organizuar Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të humbur dhe Peticione, i kryesuar nga z. Ismet Beqiri, kryetar i këtij Komisioni.

Në këtë dëgjim publik, krahas anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur, prezantuan edhe prokurori publik i Kosovës, z. Hilmi Zhitia, kryetar i Komisionit për persona të humbur, i cili vepron pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Preng Gjetaj, si dhe avokati Tomë Gashi.

Në dëgjimin e përmendur publik, prokurori publik i Kosovës, z. Hilmi Zhitia, ndër të tjera theksoi që në mesin e 1.000 të dyshuarve ka si serbë po ashtu edhe shqiptarë por, gjithashtu, ka edhe boshnjakë dhe rom. Kundër këtyre të dyshuarve, numri i shqiptarëve, të cilët kanë ndalë para drejtësisë dhe kanë qenë të gjykuar me dënime ligjore, është më i madh se sa që është numri i pjesëtarëve të nacionalitetit serb. Në vazhdim, z. Zhitia, theksoi që bashkëpunimi në mes të prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë nuk është në nivel të lakmueshëm dhe, për këtë shkak, në shumë raste procesi i ngritjes së fletëparaqitjeve penale marrin shumë kohë.

Kryetari i Komisionit për personat e humbur, i cili vepron pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Preng Gjetaj, duke e marrë fjalën theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përgatitur Projektligjin për personat e humbur, i cili do të definojë statusin e këtyre personave.

Avokati Tomë Gashi ka kritikuar institucionet vendore për neglizhencën dhe mosinteresimin e tyre lidhur me mos ngritjen e aktakuzave kundër atyre të cilët kanë kryer krime lufte në territorin e Kosovës.
Dëgjim publik mbi rrjedhën e gjertanishme të ngritjen e fletëparaqitjeve penale kundër atyre personave të cilët janë të akuzuar për krime lufte, të kryera në territorin e Kosovës