Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 30.06.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë u janë përgjigjur ministrat e kabinetit qeveritar.

Në vazhdim seanca ka proceduar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-43 për akreditimin, arsyetimin e të cilave ndryshime e ka prezantuar para deputetëve ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/48 për Administratën tatimore dhe procedurat, e ka prezantuar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, kurse Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/7 për lëndën arkivore dhe arkivat, e ka prezantuar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, të cilat projektligje edhe janë miratuar në parim.

Pas shqyrtimit të dytë deputetët sot kanë u miratuar Projektligjin për procedurën kontestimore, si dhe Rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion lidhur me procedimin e Ligjit për miniera e minerale, si dhe rekomandimin e të njëjtit komision lidhur me procedimin e Ligjit për hulumtime gjeologjike.

Projektligjin për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, e ka tërhequr nga procedura e shqyrtimit ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, i cili e ka prezantuar edhe Projektligjin për sponzorime në kulturë, rini dhe sporte, të cilin projektligj deputetët nuk e kanë miratuar.

Grupet parlamentare, por edhe deputetët me shumicë votash e kanë mbështetur mocionin e kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Gani Koci për t’i hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e Raportit vjetor të punës së Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2007 dhe atë të punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2007, për shkak se ato nuk kanë përfshirë menaxhimi financiar.

Gjatë debatit, ndërkaq, për heqjen nga rendi i ditës të Rekomandimit të Organit Përzgjedhës lidhur me emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, të propozuar nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri dhe daljes në foltore të ministrit, Fatmir Limaj, për ta shprehur qëndrimin e Qeverisë për këtë çështje, ka pasuar reagimi i deputetit Naser Osmani (i cili është edhe zv.ministër për Tregti dhe Industri) me një fjalor ofendues për ministrin Limaj dhe Qeverinë e Kosovës. Pas pauzës së dhënë nga kryesuesi i seancës dhe konsultimeve të grupeve parlamentare për këtë incident, me kërkesë të kryeparlamentarit Krasniqi, z. Osmani e ka tërhequr fjalën e thënë.
Nga seanca plenare e Kuvendit