Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti sekretarët e Parlamenteve të Sllovenisë dhe të Belgjikës

, 01.07.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjitshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka pritur sot Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit Slloven, Lovro Lonçar dhe atë të Parlamentit Belg, Robert Myttenaere, me të cilët ka biseduar për punën e legjislativit të vendit dhe për bashkëpunimin me parlamentet e këtyre dy vendeve.

Kryeparlamentari Krasniqi fillimisht ka falënderuar Parlamentin e Belgjikës dhe atë të Sllovenisë, për kontributin që kanë dhënë në kuadër të konzorciumit të katër parlamenteve për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës. Ai ka shprehur gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me parlamentet e këtyre vendeve, për të çuar përpara cilësinë e punës në Kuvend. Në të mirë të bashkëpunimit me parlamentet e të gjitha vendeve perëndimore, ai ka kërkuar që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës të pranohet në Shoqatën e Sekretarëve të Unionit Ndërparlamentar.

Në interesimet e mysafirëve për përgatitjen profesionale të personelit të administratës së Kuvendit të Kosovës, Krasniqi është përgjigjur se, Kuvendi kujdeset vazhdimisht për profesionalizmin punonjësve të administratës, por ka shtuar se të ardhurat në institucionet shtetërore të Kosovës nuk janë mjaft stimuluese për kuadrin e ri të shkolluar në vendet perëndimore, të cilët, në të shumtën e rasteve, angazhohen të punojnë në institucionet ndërkombëtare në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit Slloven, Lovro Lonçar, e ka njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi për përgatitjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Parlamentit të vendit të tij dhe Kuvendit të Kosovës, siç ishte vepruar më herët ndërmjet legjislativit të Kosovës dhe atij të Belgjikës.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka shfrytëzuar takimin për të falënderuar për pritjen që ia kanë bërë Parlamenti Belg dhe ai i Sllovenisë, si dhe për të ftuar kryetarët e të dy parlamenteve për vizitë në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë takim merrte pjesë edhe ish-drejtuesi i Projektit për Mbështetje të Kuvendit të Kosovës, Hugues de Courtivron.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti sekretarët e Parlamenteve të Sllovenisë dhe të Belgjikës