Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 02.07.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, shqyrtoi çështje të ndryshme të organizimit të punës së Kuvendit dhe një varg kërkesash të Qeverisë, të komisioneve dhe të grupeve parlamentare.

Kryesia e ka tumirë pjesëmarrjen e tre deputetëve të Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila mbahet nga 14-17 korrik në Bruksel, si dhe e ka lejuar vizitën e anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane në Parlamentin e Kroacisë dhe në Kuvendin e Shqipërisë, por ka vlerësuar se çështja e vizitave jashtë vendit duhet të bisedohet me kryetarët e komisioneve dhe me shefat e grupeve parlamentare, në mënyrë që të shihet masa e këtyre vizitave si dhe të kihet parasysh se duhet respektuar edhe parimi i reciprocitetit.

Duke e shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen nga procedura e miratimit të tri projektligjeve, të cilat e kanë kaluar shqyrtimin e parë (Projektligji i punës, ai i Statistikave zyrtare dhe ai i Sigurimeve shëndetësore), ka vlerësuar se ekzekutivi i vendit ka të drejtën e tërheqjes së projektligjit deri ditën e miratimit, prandaj çështjen e ka proceduar sipas Rregullores së Punës së Kuvendit. (Para se çështja të nxirret në seancë plenare, priten rekomandimet e komisioneve përkatëse lidhur me kërkesën për tërheqjen e projektligjeve).

Kryesia e ka shqyrtuar dhe kërkesën e Grupit Parlamentar të AAK-së, për t’ia dhënë fjalën në seancë, konform numrit të anëtarëve të grupit, dmth, të tretit me radhë (pas PDK-së dhe LDK-së), sepse vlerësojnë se kanë më shumë deputetë se grupet e tjera parlamentare (gjithsej trembëdhjetë).

Kryesia e ka e mbështetur kërkesën e Organit përzgjedhës për kompensim të punës sy tyre për përzgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, dhe ka vendosur që kompensimi të kryhet konform rregullave në fuqi.

Pasi janë njoftuar lidhur me nismën për formimin e Grupit joformal të deputetëve të rinj në moshë, anëtarët e Kryesisë janë deklaruar se nuk e pengojnë një nismë të tillë, por kanë vlerësuar se Kryesia nuk e ka për obligim të plotësojë kërkesat e tyre për zyre, kompjuterë, etj, derisa mekanizmat e domosdoshëm të Kuvendit, ende nuk i kanë kushtet më të mira të punës.

Kryesia ka vendosur që pushimi veror për deputetët e Kuvendit të Kosovës të jetë prej 1-31 gusht.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit