Lajmet e fundit

Fjalë e Kryetarit të Kuvendit, zotit Jakup Krasniqi me rastin e inaugurimit të OZhM-ve

, 04.07.2008




I nderuar koordinator për zhvillim të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zoti Mauring,
Të nderuar deputetë dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj

Ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë përurim të monitorit për Objektivat Zhvillimore të Mileniumit, donacion i çmuar për Kuvendin nga UNDP.

Kuvendi i Republikës së Kosovës po tregon përkushtim të thellë në drejtim të bërjes së pavarësisë edhe nëpërmjet të një realiteti të ri zhvillimor, që do të lehtësohet nga Objektivat Zhvillimore të Mileniumit.

Kosova e kishte të pamundur, për shkak të statusit politik, të përfshihej në nxjerrjen e Deklaratës së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Mileniumit në Samitin e vitit 2000. Aktualisht institucionet e Kosovës mund të orientohen më mirë në iniciativat për një të nesërme më të mirë për qytetarët tanë, siç janë Objektivat Zhvillimore të Mileniumit.

Për këtë qëllim, me ndihmën dhe bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, si Ekipi i Organizatave të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Kuvendi ynë do të angazhohet në ndërmarrjen e veprimeve për të ngritur cilësinë e jetesës për secilin qytetar pa asnjë bazë dallimi në Kosovë.

Në këtë kontekst, Objektivat Zhvillimore të Mileniumit bëhen pjesë e përkushtimit tonë, duke filluar me këtë ceremoni inaugurimi simbolik, për t’i intensifikuar proceset substancialisht në muajt dhe vitet që pasojnë.

Institucionet e Kosovës, pra edhe Kuvendi do të shqyrtojnë dhe shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit dhe të përfitimit nga përkrahja që rezulton nga Deklarata e Mileniumit (teknike, informative, këshilluese dhe financiare), nëpërmes se cilave mund të shtyjmë agjendën tonë për një Kosovë me prosperitet dhe mirëqenie më të madhe.

Tetë Objektivat Zhvillimore të Mileniumit janë jo vetëm vullnet i mirë i vendeve të botës, por gjithashtu edhe udhërrëfyes dhe bazë e vlerësimit të suksesit të pritur nga këto vende. Kosova si vend i pavarur, synon rrugëtimin e saj duke respektuar qëllimet që dalin nga këto objektiva.

Sipas Deklaratës për Objektivat e Mileniumit, të cilën Kuvendi i Kosovës do ta aprovojë, besoj shpejt, nëpërmjet të një rezolute, parashihet që në vitin 2015 të zhduket varfëria e skajshme, të mundësohet edukimi primar për të gjithë, të arrihet barazia gjinore dhe fuqizimi i rolit të femrave në shoqëri, të zvogëlohet ndjeshëm vdekshmëria e foshnjave, të krijohen kushte më të mira për nënat gjatë lindjes, të shtohet kujdesi shëndetësor dhe për ambientin dhe të sigurohet një partneritet ndërshtetëror me vendet e zhvilluara.

Në disa nga këto objektiva Kosova qëndron më mirë, në të tjerat mbase larg. Objektivi për arsimim të përgjithshëm është një synim i arritshëm, mirëpo proceset e ndërlidhura me punësimin, varfërinë dhe çështjet që kanë të bëjnë me përfshirjen sociale kërkojnë vëmendje dhe përkushtim akoma më të thelluar në kontekstin zhvillimor. Përkrahja e shtuar nga UNDP dhe UNKT mirëpritet dhe inkurajohet në këtë drejtim.

Së fundi, duke qenë se Kosova është pjesë përbërëse e komunitetit ndërkombëtar, me anë të përfshirjes dhe përkrahjes së kësaj politike globale, ne do të ofrojmë kontributin tonë në kundërvënien ndaj armikut të përbashkët – varfërisë dhe pasojave që rezultojnë nga mungesa e zhvillimit ekonomik e njerëzor.

Duke ju falënderuar për këtë dhuratë të bukur, që do të na shërbejë të gjithëve dhe për projektin që sapo ka filluar të implementohet, ju siguroj që Kuvendi i Kosovës është mirënjohës për gjithë kontributin që keni dhënë dhe po jepni për të.