Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi priti shefin e EULEX-it në Kosovë, z. Yves de Kermabon

, 07.07.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, z. Yves de Kermabon. Në fillim kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të angazhimeve aktuale të Kuvendit të Kosovës, që nga Shpallja e Pavarësisë, aprovimi i Kushtetutës së Kosovës , si dhe aprovimi i ligjeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit. Në vijim, kryeparlamentari Krasniqi u shpreh se bashkë me EULEX-in do të shtrijmë autoritetin dhe veprimin e institucioneve në tërë territorin e Kosovës, sepse mungesa e një kontrolli bën që në pjesën veriore të vendit të ketë krim të organizuar. Krijimi i strukturave paralele po u krijojnë probleme qytetarëve tanë serbë, por edhe qytetarëve të tjerë.

Duke folur për çështjet nga lëmi i drejtësisë dhe gjyqësorit në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi tha se ne presim ndihmën tuaj që drejtësia dhe gjyqësori të jenë në funksion të zbatimit të ligjit, sepse kemi qytetarë që janë të burgosur qe 5 apo 6 vjet , pa asnjë vendim të gjyqësorit. Duke zgjidhur problemin e tyre ne njëkohësisht do të ngremë edhe autoritetin e gjyqësorit.

Pasi e përgëzoi kryeparlamentarin për punën e e madhe që është bërë, shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, z. Yves de Kermabon, theksoi se ne jemi këtu që t’ ju ndihmojmë. Tashmë kur po bëhet rikonfigurimi i UNMIK-ut, krijohen mundësitë të vendosemi në tërë territorin e Kosovës , ndërsa jemi në konsultim të vazhdueshëm më PSPP-në. Kapacitetet e Misionit të EULEX-it do të shtrihen në tërë territorin e Kosovës dhe për këtë nuk kemi asnjë dyshim. Ne , theksoi më tutje z. Kermabon, do të sjellim në Kosovë edhe ekspertë gjyqësorë me njohuri e përvojë të madhe, që do të kontribuojnë në ecjen përpara të sistemit gjyqësor në Kosovë. Në këtë frymë, z. Kermabon premtoi se në luftën kundër krimit të organizuar Kosova do të ketë mbështetje të plotë nga ana e EULEX-it.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi priti shefin e EULEX-it në Kosovë, z. Yves de Kermabon