Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion

, 08.07.2008




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacin, i kryesuar nga kryetarja e Komisionit, zonja Myzejene Selmani, sot mbajti mbledhje, ku si pikë kryesore kishte shqyrtimin e Raportit vjetor për vitin 2007, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në këtë mbledhej krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të udhëhequr nga z. Ali Hamiti.

Duke biseduar për aktivitetet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2007, z.Hamiti theksoi se kjo Zyre ato i ka orientuar në plotësimin e detyrave që dalin nga Plani dhe Programi i kësaj Zyreje. Deri në fund të vitit 2007, Zyra e Rregullatorit të Eneregjisë, i ka lëshuar gjithsej 24 liçenca për 15 subjekte juridike. Në raportin e vet, z. Hamiti, përveç tjerash, theksoi se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë, në vitin 2007, në termocentrala, ishte gjithsej 4.239.3 GWh, kurse në hidrocentrala gjithsej 93.7 GWh. Derisa në termocentrala, në krahasim me vitin 2006, është shënuar rritje e energjisë elektrike për 9.5%, në hidrocentrala është shënuar zvogëlim i energjisë elektrike për 25.8%. Në vitin 2007 importi i energjisë elektrike ishte 539.812 MWh në vlerë prej 45.161.222 €, kurse eksporti ishte 170.175 MWh në vlerë prej 6.543.546 €.

Raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2007, u miratua nga anëtarët e Komisionit dhe si i tillë do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratim.

Po në këtë mbledhje, anëtarët e Komisonit miratuan edhe Planin dhe Programin e punës për periudhën korrik- dhjetor 2008.
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion