Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 15.07.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim të seancës deputetët me shumicë votash kanë miratuar Rekomandimin e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media lidhur me kërkesën e Qeverisë për tërheqjen nga procedura e shqyrtimit të Projektligjit për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës, rekomandimin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me kërkesën e Qeverisë për tërheqjen nga procedura e shqyrtimit të Projektligjit për punën, si dhe rekomandimin e të njëjtit komision lidhur me kërkesën e Qeverisë për tërheqjen nga procedura e shpalljes të Ligjit për sigurimin shëndetësor.

Sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës, deputetët në seancën e sotme kanë votuar për propozim-vendimin e Qeverisë për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Anëtarë të Agjencionit janë zgjedhur Dino Asanaj, Fadil Ferataj, Haxhi Arifi, Slobodan Petroviq dhe Bahri Shabani.

Me pajtim të shefave të grupeve parlamentare dhe votim të deputetëve janë hequr nga reni i ditës i seancës së sotme shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sigurinë private, si dhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës.

Nga seanca plenare e Kuvendit