Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 22.07.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mbajë seanca më 29 dhe më 30 korrik, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këto seanca.

Në seancën e 29 korrikut do të shtrohet kërkesa e grupeve parlamentare të Kuvendit për procedimin e ligjeve të pashpallura në rishqyrtim në komisionet parlamentare. Në këtë seancë, ndërkaq do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L088 për miratimin e Buxhetit të Kosovës dhe shpenzimet e autorizuara për periudhën prej 1 janari deri më 31 dhjetor 2008. Ky projektligj do të shqyrtohet për herë të dytë në seancën e 30 korrikut, deri kur Komision Parlamentar për Buxhet dhe Financa do të merret me amendamentimin e tij.

Kryesia sot ka shqyrtuar edhe Rekomandimin e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media për formimin e Komisionit Ad Hoc për emërimin e katër anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media. Kryesia ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që ta propozojnë nga një anëtarë të tyre për këtë komision, ndërkaq duke e shqyrtuar Rekomandimin e të njëjtit komision parlamentar për inicimin e procedurës për emërimin e një anëtari në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media, u ka sqaruar shefave të grupeve parlamentare se mund të propozojnë emra, por mundësisht të pajtohen për një kandidat, sepse vetëm një anëtar ( nga radhët e Kuvendit) do të zgjedhet.

Duke e shqyrtuar për të satën herë çështjen Qendrës Administrative Protokollare në Gërmi, si dhe Raportin e sekretarit të Kuvendit dhe shkresën e punëkryesit “Mega” lidhur me ndërtimin e godinës, anëtarët e Kryesisë i kanë shoshitur variante të ndryshme të zgjidhjes së problemit, por kanë vlerësuar se para se Kuvendi të marrë vendim përfundimtar për çështjen, nevojitet edhe vlerësimi i ekspertëve.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit