Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik në Komisionin për Buxhet dhe Financa

, 23.07.2008




Në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ekspertë financiarë dhe të politikave fiskale, përfaqësues të institucioneve dhe të grupeve të interesit, kanë debatuar sot lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/48 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje në këtë dëgjim publik, kryesuesi i Komisioni për Buxhet dhe Financa, Gani Koci, ka vlerësuar si domosdoshmëri të kohës plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i miratuar më 2004 dhe i zbatuar që nga maji i viti 2005. Ai, ndërkaq, ka lavdëruar punën e bërë për ndryshimin ligjit, duke vlerësuar sidomos kriterin bazë gjatë hartimit të tij, për zgjerimin e bazës tatimore, krijimin e Njësisë së hetimit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës, mbajtjen e rregullt të librave të kontabilitetit etj.

Pjesëmarrësit e shumtë në diskutim kanë vlerësuar shumë çështje pozitive që rregullohen me këtë projektligj, si pajisjen e tatimpaguesve me numër të veçantë fiskal, evidencën më të përpiktë, etj, por kanë theksuar edhe zgjidhje në projektligj që nuk janë shumë stimuluese për bizneset si, shkurtimi i afateve për pagesën e tatimeve dhe zgjatjen e afatit të rimbursimit të pagesave të tepërta, kamatat e larta për vonesat dhe për gabimet gjatë plotësimit të faturave.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar ndërkombëtar në Kosovë, Edgardo Ruggiero, ka theksuar se projektligji para se të miratohet përfundimisht në Kuvend duhet të harmonizohet me praktikat e mira ndërkombëtare në sferën e administratës tatimore, sidomos për sa i përket lehtësimit të përmbushjes së obligimeve dhe zvogëlimit të punëve joproduktive në administratën tatimore. Ai, në vërejtjet e tij me shkrim për Komisionin, ka theksuar praktikat e ndryshe ndërkombëtare për dënimet për mashtrim civil, që bëhen nga administrata tatimore, pa pasur nevojë për autorizim nga gjykata dhe për dënimet e mashtrimit kriminal, që do të duhej të gjenin vend në këtë projektligj.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Mimoza Kusari, ka tërhequr vëmendjen se sipas zgjidhjeve që ofron projektligji, Kosova do të zërë vendin e dytë në rajon për nga shkalla e lartë e dënimeve për bizneset, që është destimuluese për zhvillim të shpejtë të vendit. Ajo ka vlerësuar se duhen dhënë sqarime më të detajuara për mbajtjen e librave të evidencës, ndërkaq ka theksuar se duhet të përcaktohet qartë se kur administrata tatimore mund të kërkojë kontrollin e llogarive bankare të tatimpaguesve, sepse ndryshe, ka tërhequr vërejtjen ajo, bizneset në Kosovë mund të ballafaqohen me kontrolle të shpeshta dhe qëllimkëqija.

Edhe përfaqësuesit e tjerë në debat nga Administrata Tatimore, BSPK-ja, Universiteti, shoqatat e bankave, të kontabilistëve etj. kanë dhënë propozime me vlerë, duke kërkuar që të mënjanohet ndikimi i politikës ditore në Administratën Tatimore të Kosovës.

Vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e ndryshme të pjesëmarrësve, në këtë dëgjim publik, do t'i shërbejnë Komisionit për Buxhet dhe Financa Kuvendit t'i përgatisë amendamentet për këtë projektligj, të cilat do të shqyrtohen nga Kuvendi i Kosovës gjatë miratimit përfundimtar të ligjit.
Nga dëgjimi publik në Komisionin për Buxhet dhe Financa