Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava

, 24.07.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava me bashkëpunëtorët e tij dhe ka biseduar me të për bashkëpunimin e ndërsjellë të dy institucioneve, të cilat i drejtojnë, si dhe për një varg çështjesh që i preokupojnë ato dhe qytetarët e Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka çmuar kontributin e dhënë për mbarëvajtjen e proceseve në Kosovës dhe autoritetin që gëzon Bashkësia Islame te qytetarët e Kosovës, prandaj ka vlerësuar se angazhimet e tilla nevojiten sot dhe në të ardhmen.

Në takim në mënyrë të veçantë është folur për lobimin e BI-së për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga një varg vendesh islame.

Me këtë rast zotëri Krasniqi i ka dhuruar Myftiut të Kosovës një kopje të Deklaratës së Pavarësisë, të cilën kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës e ka çmuar si dhuratën më të shtrenjtë që ka marrë ndonjëherë.

Duke iu përgjigjur interesimeve të gazetarëve, pas takimit, për rolin që mund të luajë Bashkësia Islame e Kosovës për njohjen e pavarësisë së vendit nga një grupi i madh i vendeve arabe dhe islamike, aq i nevojshëm në këtë fazë të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, myftiu Tërnava është shprehur shkurt se efektet e angazhimit të BI-ë do të shihen konkretisht dhe shumë shpejt.
Kryeparlamntari Krasniqi priti kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava