Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 29.07.2008




Në pjesën e parë të seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë.

Në vazhdim është shqyrtuar për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L08 për miratimin e Buxhetit të Kosovës dhe shpenzimet e autorizuara për periudhën prej 1 janari deri më 31 dhjetor 2008. 

Prezantimin e projektligjit pra deputetëve e ka bërë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka shkoqitur elementet kryesore mbi të cilat është bazuar Qeveria e Kosovës gjatë rebalancimit të buxhetit të Kosovës, duke theksuar se janë mbajtur parasysh prioritetet e Qeverisë dhe janëë ruajtur balancet kryesore.

Në vazhdim ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka dhënë sqarime plotësuese për ripozicionimin e zërave të ndryshëm në kuadër të rishikimit të Buxhetit të Kosovës.

Ka pasuar një debat i gjerë për Buxhetin e Rishikuar të Kosovës.

Derisa shumica e deputetëve nga radhët e grupeve parlamentare të pozitës kryesisht e kanë vlerësuar të balancuar Buxhetin e Rishikuar të Kosovës dhe e kanë lavdëruar punën e Qeverisë së Kosovës për kursime dhe menaxhim të mirë financiar, deputetë nga radhët e grupeve parlamentare të opozitës e kanë akuzuar Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave për ngritje pa kriter profesionale të zërave të ndryshëm në Buxhetin e Rishikuar të Kosovës, ndërsa Qeverinë e Kosovës e kanë akuzuar si shpërdoruese të parasë së taksapaguesve të Kosovës.

Në përfundim të debatit, me shumicë votash të deputetëve, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L08 për miratimin e Buxhetit të Kosovës dhe shpenzimet e autorizuara për periudhën prej 1 janari deri më 31 dhjetor 2008.

Seanca i vazhdon punimet nesër në orën dhjetë me shqyrtimin e pikave të thera të rendit të ditës, kurse në orët e pasditës do mbahet një seancë tjetër, në të cilën do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L08 për miratimin e Buxhetit të Kosovës dhe shpenzimet e autorizuara për periudhën prej 1 janari deri më 31 dhjetor 2008.
Nga punimet e seancës plenare