Lajmet e fundit

Aktivitet i ngjeshur i kryeparlamentarit Krasniqi në SHBA

, 27.08.2008




Gjatë ditës së sotme , kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është duke qëndruar në një vizitë disa ditëshe në SHBA, pati takime të ngjeshura me ambasadorë dhe personalitete të tjera të vendeve të ndryshme të botës. Një takim mjaft miqësor kryeparlamentari Krasniqi kishte me ambasadorin e Republikës së Haitit në Uashington, z. Rajmon Jozef. Në fillim kryeparlamentari Krasniqi e njohu ambasadorin e Haitit lidhur me rrjedhat politike dhe ekonomike në Kosovë, që nga 17 shkurti e deri më sot, duke u përqendruar sidomos në angazhimet e Kuvendi të Kosovës dhe Qeverisë për integrimin e pakicave në jetën e gjithëmbarshme shoqërore e ekonomike në Kosovë, posaçërisht të minoritetit serb. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi me këtë rast se Pakoja e Ahtisarit, megjithëse është e dhimbshme , ne e kemi pranuar për të vetmen arsye , që të lëmë të kaluarën prapa, për hir të prosperitetit të së ardhmes.

Z. Rajmon Jozef në këtë takim theksoi se edhe Qeveria e Haitit është duke shqyrtuar mundësitë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai në vijim tha se ju keni miq të mëdhenj në botë, siç është kongresisti amerikan, z. Eliot Engël.

Po ashtu, një takim shumë të veçantë e shumë miqësor kryeparlamentari Krasniqi pati edhe me ambasadoren e Nigerit në Uashington , Toure Magiu, të cilën gjithashtu e njoftoi me rrjedhat aktuale në Kosovë, si dhe me përpjekjet që bëhen për integrimin e minoritetit serb në institucionet kosovare. Lidhur me këtë , kryeparlamentari Krasniqi, theksoi se Qeveria e Serbisë me politiken e vet destruktive, po përpiqet që nëpërmjet strukturave të saj të destabilizojë Kosovën. Këto përpjekje të Serbisë janë , jo vetëm kundër stabilitetit të Kosovës, por ato janë edhe antirajonale e anti evropiane, sepse ndikojnë në destabilitetin e proceseve që zhvillohen në Evropë. Z. Jakup Krasniqi me këtë rast i dhuroi zonjës Toure Magiu një kopje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke kërkuar nga ajo që edhe vendi i saj të njohë pavarësinë e Kosovës, sepse në këtë mënyrë do të ndikohet edhe në stabilizimin në Evropë. Zonja Toure e falënderoi për këto njoftime kryeparlamentarin, duk e theksuar se ajo do ta njohë Qeverinë dhe kryetarin e vendit të saj me zhvillimet politike në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte një takim edhe me presidentin e NDI-së dhe drejtorin e këtij institucioni për Evropën Qendrore, përkatësisht z. Kenneth Vollack dhe z. Robert Benjamin.

Gjithashtu , kryeparlamentari Krasniqi në kuadër të pjesëmarrjes në Konventën e Partisë Demokratike të SHBA-së, pati takime edhe me ish- ministrin gjerman Joshka Fisher, ambasadorin fuqiplotë të Turqisë dhe me ambasadorin e Malit të Zi. në Uashington. Pritet që gjatë ditës së sotme , kryetari i Kuvendit të Kosovës të takohet edhe me mikun e madh të shqiptarëve, z. Eliot Engël, të shoqëruar nga z. Pomery, si dhe me ish-kryetarin, tani kryetar i partisë më të madhe opozitare, të Sudanit.