Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi takoi kongresitët amerikanë Engel dhe Pomeroy

, 28.08.2008




Gjatë vizitës në SHBA, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë, Slobodan Petroviq, ka pasur një takim prej dyorësh me dy kongresistët e njohur amerikanë: Eliot Engel dhe Earl Pomeroy.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi i ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e madhe për Kosovën dhe popullin e saj, ka folur për zhvillimet në Kosovë dhe ka prezantuar të arriturat e vendit pas 17 shkurtit. Ai ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zhvillim të përshpejtuar dhe të papenguar për të gjithë qytetarët e Kosovës, e sidomos për integrimin e qytetarëve të komunitetit serb. Me gjithë punën e madhe në këtë drejtim, nuk jemi të kënaqur me rezultatet, pikërisht për shkak të obstrukcioneve të regjimit të Beogradit dhe nxitjes së banorëve serbë të Kosovës për të kundërshtuar institucionet vendit dhe ato ndërkombëtare në Kosovë, u ka thënë Krasniqi kongresistëve amerikanë, duke theksuar qëndrimin e palëkundur të Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të Kosovës për të pasur sukses në integrimin e serbëve në shoqërinë demokratike të Kosovës.

Me këtë rast kreu i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që krahas mbështetjes së politike dhe ekonomike, SHBA-të ta mbështesin fuqishëm edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Duke e marrë fjalën në këtë takim, anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviq, i ka quajtur të papranueshme institucionet paralele serbe në Kosovë. Gjendja e krijuar në pjesën veriore të Kosovës u konvenon vetë grupeve kriminale dhe jo qytetarëve të Kosovës, ka pohuar Petroviq. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës po bëjnë ç’është e mundur për zhvillim dhe siguri të të gjitha komuniteteve dhe është zotuar se partia e tij do të angazhohet për realizimin e interesave të njëmendta të qytetarëve serbë të Kosovës dhe për të jetuar lirshëm bashkë me komunitete e tjera.

Kongresisti Eliot Engel ka theksuar se ai ka qenë dhe do të mbetet mik dhe mbështetës i pavarësisë së Kosovës. I tillë do të mbetem edhe për sa i përket mbështetjes së Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të vendit, pa dallim etnie dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Edhe kongresisti, Earl Pomeroy, ka premtuar mbështetjen gjithëpërfshirëse për shtetin e ri të Kosovës dhe për popullin e saj.

Për datën 29 gusht është paraparë takimi i kryeparlamentarit Krasniqi me zonjën Rozmari Di Carlo si dhe takime me personalitete të ndryshme që veprojnë në OKB.