Lajmet e fundit

Reagim i sekretarit të Kuvendit të Kosovës

, 04.09.2008




Duke u marrë me një temë shumë serioze dhe të ndjeshme, për kinse shkeljen e Ligjit të Prokurimit nga sekretari i Kuvendit të Kosovës, gazetari Shkëlzen Dragaj, në shkrimin “Sekretari i Kuvendit shkel rënd ligjin”, të botuar në të përditshmen Infopress, të datës 3 shtator 2008, në mënyrë të qëllimshme apo nga padija ka bërë disa lajthitje.

Për hir të informimit të saktë të lexuesve po shpjegojmë shkurtimisht se kontratat për të cilat bëhet fjalë në shkrimin e “Infopressi-it” nuk janë kontrata për renovimin e kulmit dhe kontratë për renovimin e restorantit, por janë të natyrës së kontratës mbi vepër, që kanë të bëjnë me ofrimin e ndihmës profesionale rreth përgatitjes së materialeve dhe specifikacioneve të nevojshme për kompletimin e dokumentacionit për tender, si dhe mbikëqyrjen e realizimit të punimeve të renovimit të kulmit të ndërtesës së Kuvendit dhe të renovimit të restorantit të Kuvendit, natyrisht pas shpalljes së tenderit dhe fillimit të punës. Andaj këto kontrata nuk janë kontrata të definuara me dispozitat e nenit 24 të Ligjit mbi prokurimin publik, të cilat dihet se duhet të nënshkruhen nga zyrtari i prokurimit.

Kontratat në fjalë sekretari i Kuvendit i ka nënshkruar konform autorizimeve të tij, të përcaktuara me Rregullat statusore të administratës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sa i përket tenderit për kryerjen e shërbimeve të bufesë, i njëjti është shpallur konform dispozitave të Ligjit mbi prokurimin publik.

Nuk i përgjigjet realitetit as konstatimi i shkrimit në gazetën “Infopress” se sekretari i Kuvendit ka shkarkuar 7 menaxherë të prokurimit.

Ismet Krasniqi i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës