Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 04.09.2008




Në mbledhjen e parë të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme (pas pushimit vjetor të deputetëve), të drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit, është shqyrtuar agjenda e punës së Komisionit gjatë sesionit vjeshtor të Kuvendit, raportet institucionale lidhur me politikën e jashtme të Kosovës dhe çështje të tjera të operacionalizimit të punës së Komisionit.

Duke e pasur parasysh marrjen e kompetencave nga Qeveria e Kosovës edhe në sferën e politikës së jashtme dhe krijimin e Ministrisë së Jashtme, si dhe angazhimin e shtuar për njohje nga sa më shumë vende të shtetit të Kosovës, rezulton vëllim më i madh punësh edhe për Komisionin për Punë të Jashtme, ka theksuar Hamiti. Për realizim e këtyre objektivave nevojiten kontakte të përhershme me krerët institucionalë të Kosovës, ndarje punësh dhe përcaktim agjendash të kontakteve me jashtë, është thënë në takim. Është kërkuar, ndërkaq, që në mbledhjet e Komisionit të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, për të prezantuar programin e punës së ministrisë të cilën e drejton dhe strukturimin e saj.

Për punë më të suksesshme të Komisionit për Punë të Jashtme, por edhe të komisioneve të tjera parlamentare, nevojitet buxhet i përcaktuar për komisionet, por edhe buxhet më i dinjitetshëm për Kuvendin e Kosovës, është thënë në takim. Mu për këtë është insistuar që të kërkohet nga Qeveria e Kosovës ta sjellë me kohë në Kuvend projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2009 (deri më 15 shtator), si dhe të angazhohet një komision nga Kuvendi për harmonizimin e kërkesave buxhetore të legjislativit të vendit.

Në takimin e sotëm janë shqyrtuar edhe çështje të tjera të funksionalizimit të punës së komisionit, përfshirë edhe ndarjen e punës së anëtarëve të tij sipas interesimeve dhe prirjeve personale të tyre.

Kryetari, Sabri Hamiti, i ka njoftuar anëtarët e komisionit për bisedat e para që ka pasur me parlamentarë francezë për krijimin e grupit të miqësisë Kosovë-Francë dhe për interesin që ka hasur në këtë tratativë.
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme