Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u kthye nga vizita zyrtare në SHBA

, 05.09.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është kthyer sot nga vizita në SHBA, gjatë së cilës ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Demokratike dhe ka realizuar takime të rëndësishme me Departamentin Amerikan të Shtetit, me kongresistë miq të Kosovës, me ambasadorë të vendeve të ndryshme të botës dhe me bashkëkombësit tanë në SHBA.

Sa po ka arritur në Aeroportin e Prishtinës ai u ka deklaruar gazetarëve se vizita në SHBA, ku ishte i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë, Slobodan Petroviq dhe pjesëtarë të kabinetit të tij ishte e suksesshme dhe e rëndësishme për Kuvendin dhe Kosovën. Ai me këtë rast ka veçuar takimin me kryetaren e Kongresit Amerikan Nensi Pellosi, me ish-sekretaren e shtetit Medlin Ollbrajt, e njohur për kontributin e saj për Kosovën, me zëvendësshefen e Misionit të SHBA-ve në OKB-së, ambasadoren Rozmari di Karlo, me zvëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Stuart Jones, e të tjerë. “Në të gjitha takimet kemi shpjeguar për zhvillimet në Kosovë dhe kemi kërkuar mbështetje edhe më të fuqishme nga SHBA-të, e cila edhe na është premtuar”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë pjesëmarrjes në Konventen e Partisë Dekratike, në kohë pauzash mes sesionesh, kam pasur kontakte edhe me homologë nga vendet e rajonit, si dhe me ambasadorë të vendeve nga Afrika, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, të cilëve ua kam sqaruar realitetin e ri në Kosovë dhe kam kërkuar që sa më parë ta njohin shtetin e Kosovës, u ka deklaruar Krasniqi gazetarëve.

Krasniqi ka folur edhe për takimin me kongresistët e njohur amerikanë: Eliot Engel dhe Earl Pomeroy, miq të dëshmuar të Kosovës, ndërsa në pyetjen se a lobon kush në Uashington dhe New York për njohjen nga sa më shumë vende të shtetit të Kosovës, Krasniqi është përgjigjur se kongesisti Engel po i shfrytëzon të gjitha lidhjet tij për këtë çështje. Vizita ishte bërë me ftesë të Institutit Nacional Demokratik (NDI), prandaj kreu i Kuvendit të Kosovës ishte takuar edhe me shumicën e udhëheqësve të kësaj organizate e cila vazhdon ta mbështesë legjislativin e Kosovës dhe subjektet politike parlamentare.

Kryeparlamentari Krasniqi u kthye nga vizita zyrtare në SHBA