Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit për z. Holbrooke

, 09.09.2008




Fjalë e Kryetarit Krasniqi në hapje të Seancës së Kuvendit, me rastin e vizitës së ambasadorit Richard Holbrook

Prishtinë, më 9 shtator 2008

I nderuar President, zoti Fatmir Sejdiu

I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi

I nderuar Përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare, zoti Piter Feit

I nderuar Kryesues i misionit EULEX, zoti Kermabo

I nderuar PSSP, zoti Zanier

I nderuar Komandant i KFOR-it, zoti Gjyzepe Emilio Gaj

Të nderuar deputetë, ministra, përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar Zonja dhe zotërinj

Kuvendi ynë po e fillon sesionin vjeshtor me seancë solemne të organizuar për nder të Ambasadorit Hollbrook. Sot Kuvendin tonë po e nderon me pjesëmarrjen e tij miku ynë e diplomati i çmuar, amabasadori Richard Hollbruk. Për çdo qytetarë të Kosovës, zoti Holbruk është i njohur mirë për karrierën e tij të bujshme diplomatike, si emisar special për Ballkan i Presidentit të SHBA, zotit Bill Klinton, si negociues për përfundimin e suksesshëm të luftës së përgjakshme të Bosnjës e Hercegovinës më 1995, si përfaqësues i diplomacisë amerikane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe si ambasador i SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përpjekjet e tij për ndaljen e dhunës e të terrorit të regjimit të Milosheviqit mbi popullsinë e Kosovës qenë sa të vendosura e energjike, aq edhe të matura e me durimin e një diplomati të pjekur, por kur ato po abuzoheshin nga një kriminel lufte dhe dukej qartë që do të ishin të pasuksesshme, zoti Hollbruk nisi të shtynte përpara opsionin e ndërhyrjes me forcë për ndaljen e makinës vrastare në Kosovë. Ndërhyrje kjo që për vendin e popullin tonë solli epokën e lirisë, të pavarësisë, të sovranitetit shtetëror e të demokracisë për të gjithë.

Zoti Hollbruk mirë se erdhët në Republikën e Kosovës dhe në Kuvendin e zgjedhur të saj! Shfrytëzoj këtë rast që më jepet për t’ju shprehur Juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentëve Bush e Klinton, gjithë popullit amerikan, mirënjohjen e thellë në emër të Kuvendit të Kosovës, të qytetarëve dhe timin personalisht për gjithë çfarë keni bërë për vendin e popullin tonë.

Në këto kohë të reja Republika e Pavarur e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, tashmë e njohur nga 46 vende anëtare të OKB, po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, por vazhdon të ndjejë nevojën e ndihmës së miqve të saj për njohje më të gjerë ndërkombëtare, për mbrojtje e mbështetje, zhvillim e integrim dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.

Kosova e kthyer drejt të ardhmes së saj demokratike e evropiane, do të përmbushë të gjitha obligimet e saja kombëtare e ndërkombëtare për të qenë vend i lirë, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj dhe faktor paqeje e bashkëpunimi në plan rajonal e botëror.

Zoti Holbruk, duke ju falënderuar edhe njëherë, kam kënaqësinë t'ju ftoj t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.