Lajmet e fundit

Drejtuesit e Komisionit për Punë të Jashtme pritën deputetin gjerman Winkelmeier

, 10.09.2008




Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti dhe Xhavit Haliti, pritën deputetin e Bundestagut gjerman, Gert Winkelmeier, me të cilin biseduan për punën e Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë punën e komisionit, të cilin e drejtojnë, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit me komisionin homolog në Berlin.

Duke iu përgjigjur interesimit të deputetit gjerman se cilat janë nevojat kryesore të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Hamiti ka theksuar kontaktet më intensive ndërparlamentare, konsultat profesionale dhe shfrytëzimin e përvojave të mira. Në këtë vështrim ai e ka përshëndetur kontributin e ekspertëve të Bundestagut gjerman në Projektin për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës, i cili kohë më parë ka përfunduar mandatin.

Duke e marrë fjalën në këtë takim, deputeti Haliti ka theksuar kontaktet dhe lidhjet e gjata ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe e ka falënderuar shtetin dhe popullin gjerman për strehimin dhe punësimin e një numri të madh të emigrantëve nga Kosova dhe të familjarëve të tyre. Ai ka vlerësuar edhe kontributin e KFOR-it gjerman, sidomos në Prizren.

Drejtuesit e Komisionit kanë kërkuar edhe sigurimin e një numri shkollarësh kosovarë në shkollat gjermane, si dhe hapjen e shkollave profesionale gjermane në Kosovë. Ata janë angazhuar edhe për lehtësimin e vizave për qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të vizitojnë Gjermaninë. Duke theksuar nevojat e shumta për zhvillim më të përshpejtuar të Kosovës, deputetët Hamiti dhe Haliti janë shprehur të bindur se nuk do të mungojë mbështetja gjermane për Kosovën.

Deputeti i Bundestagut gjerman, Gert Winkelmeier, është interesuar për garancitë që ofron Qeveria e Kosovës për investimet e huaja, si dhe për transparencën e tenderëve në Kosovës. Ai, ndërkaq, ka premtuar se përvojat nga kontaktet e tij në Kosovë do t’ia paraqesë në një raport kryetarit të Bundestagut gjerman.