Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti komandantin e KFOR-it, gjeneralin Gay

, 11.09.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim njohës komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, gjeneral-leitnant Giuseppe Emilio Gay, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në funksion të paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi i ka uruar detyrën e re komandantit të KFOR-it, ka shprehur kënaqësinë që gjenerali Gay, nuk ndodhet për herë të parë në Kosovës, por që nga viti 1999 në misione të ndryshme ka qëndruar në Kosovës dhe e njeh mirë realitetin këtu, prandaj e ka shumë më lehtë t’i kuptojë ndryshimet në vendin tonë. Në vazhdim kreu u Kuvendit e ka njoftuar gjeneralin me punën e Kuvendit gjatë kësaj Legjislature për shtetformimin e Kosovës dhe përgatitjen e infrastrukturës ligjore të vendit, sidomos për sa u përket të drejtave dhe lirive të qytetarëve, e në veçanti të drejtave të minoriteteve. Rezultatet do të ishin edhe më të mëdha, ka pohuar Krasniqi, sikur shteti serb të mos shpenzonte mjete të mëdha financiare për destabilizuar Kosovën dhe penguar qytetarët serbë të Kosovës që të integrohen në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës.

Krasniqi i ka vlerësuar lartë rolin e KFOR-it për ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe ka theksuar se institucionet dhe populli i Kosovës kanë respekt të veçantë për këtë mekanizëm ushtarak ndërkombëtar, edhe për faktin që ka krijuar raporte të mira me qytetarët dhe ka kontribuuar edhe për ndërtimin e infrastrukturës publike në Kosovë.

Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-leitnant Giuseppe Emilio Gay, i ka vlerësuar ndryshimet pozitive në Kosovë nga viti 1999 e këtej dhe ka shprehur kënaqësinë për të arriturat e popullit të Kosovës. Duke theksuar vendosmërinë e KFOR-it në përmbushjen e detyrave, Gay ka pohuar se në bazë të raporteve që merr nga terreni, Kosova është një vend i qëndrueshëm dhe i sigurt, me kufij të sigurt. Kjo është rruga e vetme dhe e vërtetë, prandaj kjo duhet thënë qytetarëve, ka theksuar gjenerali.

Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por vullneti dhe përkushtimi ynë është që të ndërtojmë një vend të suksesshëm demokratik dhe të krijojmë mundësi të barabarta zhvillimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, ka theksuar kreu i Kuvendit.

Krasniqi është shprehur i bindur se krahas kryerjes me sukses të obligimeve për krijimin e sigurisë në Kosovë, KFOR-i do ta ndihmojë dhe krijimin dhe funksionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti komandantin e KFOR-it, gjeneralin Gay