Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti komandantin e TMK-së, gjenerallejtënant, Sylejman Selimi

, 15.09.2008




Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, e ka njoftuar kryeprlamntarin Krasniqi lidhur me zhvillimet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës në fazën e transformimit në Forcën e Sigurisë, proces ky që zhvillohet nën mbikëqyrjen e NATO-s. Ai i ka pohuar kreut të Kuvendit të Kosovës se në dhjetor të këtij viti do të shpërbëhet TMK-ja, duke i lëshuar vend FSK-së. Ai, ndërkaq, ka ngritur shqetësimin për fatin e një numri relativisht të madh pjesëtarësh aktualë të TMK-së, të cilët sipas gjasash nuk do të gjejnë vend në FSK, prandaj krahas zgjidhjes me ligj të problemit të tyre, Selimi ka ngritur idenë për krijimin e një policie kufitare dhe të ndonjë kompanie të sigurimit, në të cilat do të angazhoheshin pjesëtarët e sotëm të TMK-së.

Gjenerallejtënant Sylejman Selim, duke folur për rolin e Forcës së Sigurisë në Kosovë, ka theksuar se me të fillojë së vepruari FSK-ja, duhet parë mundësia e krijimit të një ekipi për partneritet dhe paqe.

Kryeparlamentari Krasniqi, nga ana e tij, duke e falënderuar komandantin e TMK-së për raportim të thuktë të gjendjes, ka theksuar se Kosova ka nevojë për një forcë të sigurisë. Ai, ndërkaq, ka vënë në pah se krahas synimit dhe nevojës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, kemi nevojë dhe interes jetik për t’u anëtarësuar edhe në NATO.

Krasniqi me këtë rast e ka mbështetur transformimin e TMK-së dhe ka premtuar se Kuvendi dhe institucionet e tjera të Kosovës do t’i mbështesin edhe të gjithë ata, të cilët nuk do të angazhohen në Forcën e Sigurisë në Kosovë.
Kryeparlamentari Krasniqi priti komandantin e TMK-së, gjenerallejtënant, Sylejman Selimi