Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 16.09.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka vendosur që seanca e Kuvendit të mbahet më 25 shtator, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Pjesa e parë e seancë është rezervuar për pyetjet parlamentare dhe përgjigjet e Kabinetit qeveritar në pyetjet e shtruara për punën e Qeverisë.

Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndarjen e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në këtë seancë, ndërkaq, ishte paraparë të shqyrtohej edhe Projektligji për të drejtat e ish të burgosurve politik, por për mungesë të deklaratës për koston financiare të ligjit dhe të deklaratës se ligji është në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian, projektligji në fjalë është shtyrë për ndonjë seancë tjetër.

Në të njëjtës seancë do të shqyrtohet propozimi për emërimin e një anëtari në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media, si dhe propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media.

Ne mbledhjën e sotme është shqyrtuar Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, por para se çështja të radhitet për seancë, Kryesia vlerësoi të nevojshme konsultimet shtesë me grupet parlamentare.

Duke e shqyrtuar propozimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Trustit Pensional të Kosovës, Kryesia çështjen ia ka deleguar Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, i cili duhet të hartojë rekomandimet lidhur me këto emërime.

Kryesia nuk e ka radhitur për seancë mocionin e deputetit Riza Smaka për të diskutuar lidhur me propozimin e Serbisë për nxjerrjen e një Rezolute në OKB që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jep mendimin për Pavarësinë e Kosovës, për faktin se mocioni nuk është i mbështetur nga pesë deputetë të tjerë (siç e parasheh Rregullorja e Punës) dhe për faktin se mocionit nuk i është bashkangjitur teksti i rezolutës së propozuar. Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë pajtuar se kërkesa tejkalon kompetencat e Kuvendit dhe shqyrtimi atë seancë do të ishte post festum. Kryesia ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për krijimin e grupit të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës për shkak të numrit të vogël të deputetëve, të cilët e kanë nënshkruar kërkesën (janë vetëm pesë deputetë, kurse Rregullorja parasheh të jenë së paku gjashtë deputetë).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë se ka arritur Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për Kuvendin e Kosovës gjatë viti të shkuar dhe ka kërkuar që ai t’u shpërndahet deputetëve..
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit