Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 18.09.2008




Në pjesën e parë të seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij: Ferati, Pula-Shirokai, Rashiq, Gashi, Beqiri, Pajaziti dhe Hoxhaj u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë se Kosovës.

Në vazhdim ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni është paraqitur në interpelancë parlamentare, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re. Arsyetimin për një kërkesë të tillë për interpelancë, ndërkaq e ka paraqitur anëtari i Kryesisë së Kuvendit (nga radhët e AKR-së), Ibrahim Gashi.

Ministri Hyseni, në fjalën e tij para deputetëve ka shpjeguar ecurinë ligjore të krijimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, procedurën për përzgjedhjen e stafit dhe funksionalizimin e ministrisë, si dhe pengesat ligjore dhe financiare për një aktivitet më të dendur diplomatik. Kryediplomati i vendit i ka theksuar aktivitetet e tij dhe të ministrisë, të cilën e udhëheq, në funksion të nxitjes së njohjes së shtetit të Kosovës nga sa më shumë shtete, anëtare të OKB-së. Ai ka përmendur vizitat në qendra ndërkombëtare të vendosjes, si: në Bruksel, Ney York, Vjenë e të tjera, pjesëmarrjen në takimet e rëndësishme ndërkombëtare, të cilat janë vlerësuar të rëndësishme për çështjen e Kosovës, takimet me homologë të shumtë, si dhe rreth shtatëdhjetë takime me ambasadorë në vende të treta.

Duke folur për pranimet e kuadrit profesional në Ministri, Hyseni ka sqaruar se pranimi i tyre është bërë sipas konkursit dhe se nuk ka pasur emërime, siç mund të ketë pasur zëra. Ai, ndërkaq, ka pohuar se pagat aktuale në institucionet e Kosovës nuk janë atraktive për kuadrin më të përgatitur profesionalisht dhe me përvojë të mirë. Sa i përket krijimit të misioneve diplomatike, ministri Hyseni ka theksuar se për mungesë të Ligjit për Shërbimin Diplomatik të Kosovës, nuk janë zgjedhur ambasadorët, por të ngarkuar me punë, të përkohshëm. Ai ka theksuar edhe investimet dhe përpjekjen për ngritjen e përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe stërvitjen e stafit diplomatik para se të fillojnë punën.

Në debatin e gjatë parlamentar lidhur me interpelancën e ministrit të Jashtëm, Hyseni, ka pasur qëndrime nga më të ndryshmet: nga ato të cilat e mbështesin dhe e lavdërojë punën e MPJ, ato që pohojnë se në rrethanat ekzistuese dhe konstelacionin ndërkombëtar - kaq mund të bëhej për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, e deri te ato të cilat e zhvleftësojnë tërësisht punën e Ministrisë, madje vënë në dyshim edhe kapacitetet intelektuale dhe profesionale të ministrit dhe të vartësve të tij, përfshirë këtu edhe numrin më të madh të stafit diplomatik të zgjedhur.

Pas përfundimit të debatit, ministri Hyseni i ka vlerësuar të dobishëme për të dhe ministrinë, të cilën e udhëheq, shumë nga ato që janë thënë nga deputetët dhe është shprehur i gatshëm që të ballafaqohet çdo herë për mbarëvajtjen e politikës së jashtme të Kosovës.

Në vazhdimin e seancës pas dite, deputetët e kanë shqyrtuar për herë të parë: Projektligjin për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, të cilin e ka prezantuar ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-20 për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, të prezantuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, si dhe Projektligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, të prezantuar nga zëvendëskryeministri, Ramë Mnaj, të cilat projektligje edhe janë miratuar në parim, si dhe janë caktuar komisionet funksionale për amendamentimin e tyre. Është shqyrtuar për herë të dytë, ndërkaq dhe është miratuar Projektligji për ndërmjetësim.

Seanca ka shqyrtuar Propozimvendimin për formimin e Komisionit Parlamentar Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës. Me propozim të grupeve parlamentare anëtarë në këtë komision janë zgjedhur deputetët : Hydajet Hyseni, Ramadan Gashi, Melihate Tërmkolli, Ismet Beqiri, Ibrahim Makolli, Adem Salihaj, Bajram Kosumi dhe Zylfi Merxha, ndërkohë që grupi Parlamentar i SLS-së ka kërkuar që kandidatin e saj për anëtar ta bëjë publik në fillimin e seancës së nesërme.

Nga punimet e seancës plenare