Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti Presidenten e Projektit për Marrëdhënie Etnike, znj. Plaks

, 22.09.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot znj. Livia Plaks – Presidente e Projektit për Marrëdhënie Etnike me seli ne Uashington, me të cilin ka biseduar për raportet etnike në Kosovë dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës, sidomos të Kuvendit, për garantimin e të drejtave të minoriteteve dhe relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka theksuar se në Kosovë janë krijuar hapësira të gjera për realizimin e të drejtave të qytetarëve të të gjitha komuniteteve. Këtë ai e ka argumentuar edhe me miratimin e 41 ligjeve nga Plani gjithëpërfshirës i Ahtisarit, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me akomodimin në Kosovë të minoriteteve, sidomos të atij serb. Ai ka shprehur kënaqësinë që deputetët serbë, nga vendet e rezervuara, marrin pjesë në të gjitha aktivitetet në Kuvendin e Kosovës dhe ka shfaqur shpresën se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët serbë do t’i votojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Punojmë me përkushtim për përmirësimin e kushteve të jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të krijuar relacione sa më të mira ndërmjet popullsisë shumicë në Kosovës dhe pakicave, ka theksuar Krasniqi.

Presidentja e Projektit për Marrëdhënie Etnike, Livia Plaks, duke e përgëzuar për punën e madhe të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se Organizata Joqeveritare në SHBA, të cilën e udhëheq, me zyrat e saj në Evropën Qendrore dhe atë Juglindore, si dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, ka qenë shumë aktive në Kosovë dhe në Ballkanin perëndimor gjatë 17 viteve të shkuara, veçanërisht sa i përket dialogut për Kosovën. Ajo ka premtuar se organizata do ta shtojë aktivitetin e saj për një të ardhme më të mirë të Kosovës. Zonja Plaks e ka njoftuar kreun e Kuvendit Zyra në Kosovë e Projektit për Marrëdhënie Etnike do të jetë shumë aktive për ta nxitur komunikimin ndërmjet komuniteteve, sidomos për sa i përket decentralizimit dhe pjesëmarrjes së minoriteteve në strukturat politike të Kosovës.

Duke iu përgjigjur interesimeve të znj. Plaks për qëndrimin e institucioneve të Kosovës lidhur me kërkesat disa vendeve perëndimore për kthimin në Kosovë të të zhvendosurve romë dhe ashkanlinj, Krasniqi ka theksuar se me gjithë dëshirën për kthimin e të gjithë të zhvendosurve nga Kosova, gjendja ekonomike në vend është e rëndë dhe nuk e përballon një fluks të përnjëhershëm të kthimit. Ai ka vlerësuar se duhen përpiluar plane për orarin e kthimit dhe të gjenden donacione për akomodimin dhe punësimin e tyre.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti Presidenten e Projektit për Marrëdhënie Etnike, znj. Plaks