Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 23.09.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin ftuar edhe shefat e grupeve parlamentare (merrnin pjesë vetëm dy prej tyre) e ka konfirmuar rendin e ditës për seancën e 25 shtatorit dhe e ka plotësuar atë me pika shtesë.

Pjesa e parë e seancë është rezervuar për pyetjet parlamentare dhe përgjigjet e Kabinetit qeveritar në pyetjet e shtruara për punën e Qeverisë.

Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndarjen e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, kurse pastaj do të shqyrtohet propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media.

Kryesia, pasi e ka shqyrtuar Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ka vendosur që ta radhisë atë për këtë seancë. Kryeparlamentari Krasniqi u ka pohuar anëtarëve të Kryesisë se janë përmbushur kushtet që të zgjidhet Avokati i Popullit në Kosovë dhe se për këtë çështje nuk ka pasur ndonjë vërejtje nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë.

Kryesia, ndërkaq, e ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme propozimin e Qeverisë për caktimin e datës së regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave, për konsultime shtesë me Qeverinë dhe mekanizmat ekzekutivë ndërkombëtar në Kosovë, siç e ka shtyrë edhe rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Planifikim Hapësinor për gjendjen në Parkun nacional “Malet e Sharrit “ dhe planin turistik për Prevallën.

Kryesia e ka shqyrtuar edhe propozimin për plotësimin e Projektbuxhetit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2009, duke propozuar një sërë masash për funksionalizimin e legjislativit të vendit, si mbështetja financiare për ushtrimin e diplomacisë parlamentare, për punë më të suksesshme të komisioneve parlamentare dhe për përmirësimin e kushteve të punës për deputetë.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili u është shpërndarë deputetëve. Ata janë njoftuar gjithashtu me shkresën e deputetit Dragisha Miriq për kalimin e tij në Grupin Parlamentar të SLS-së, si dhe atë të deputetit Numan Baliq për dalje nga Grupi Parlamentar i AAK-së.

Kryesia e ka autorizuar sekretarinë e Kuvendit që të përpilojë një mocion për shmangie nga Rregullorja e Punës për procedim në Kuvend të ligjeve të miratuara gjatë legjislaturave të kaluara, por që nuk janë nënshkruar nga PSSP-ja.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit