Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 23.09.2008




Procesi drejt asocim – stabilizimit dhe anëtarësimit në Unionin Evropian përbën pikësynim nacional për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Për të arritur këtë është i nevojshëm një angazhim i koordinuar dhe gjithnjë në rritje i institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj për të arritur standardet që kërkon UE-ja për anëtarësim. Në këtë frymë para Kosovës shtrohet si detyrë dhe përgjegjësi e përhershme angazhimi për njohje të pavarësisë së saj nga të gjitha shtetet e Unionit Evropian, sepse edhe nëse vetëm një anëtar nuk e njeh pavarësinë, mund të jetë pengesë për t’ u pranuar në UE. Këto ishin disa nga konstatimet e mbledhjes së sotme të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës , të kryesuar nga Zylfje Hundozi, kryetare e Komisionit, temë bosht e së cilës ishte Raportimi i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi lidhur me progresin në zbatimin e Planit për Integrime Evropiane.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi paraqiti një pasqyrë të gjerë të angazhimeve aktuale dhe të atyre në vijim të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me aktivitetet e gjithëmbarshme drejt anëtarësimit në Unionin Evropian.

Në këtë vështrim zëvendëskryeministri tha se Unioni Evropian angazhohet në Kosovë që përmes procesit të stabilizimit asocimit, vendi ynë të mos mbetet jashtë agjendës për integrim në Union Evropian bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Në vijim ai theksoi se Komisioni evropian angazhohet që Kosova në rrjedhë të njëjtë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor , pra si shoqëri konkurruese, të anëtarësohet në Unionin Evropian. Për të arritur këtë synim Kosova duhet të angazhohet në shumë projekte që kanë të bëjnë posaçërisht me gjashtë fusha: sundimin e ligjit , ruajtjen e mjedisit dhe resurseve natyrore , zhvillimin ekonomik , tregtinë , infrastrukturën dhe zhvillimin social. Për të arritur këtë ne duhet të jemi në një nivel të lartë të përgjegjësisë, duke u angazhuar kundër dukurive negative, sidomos kundër korrupsionit, kudo që të shfaqet ai.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në vijim foli edhe për disa projekte të përbashkëta në fushën e përkthimit të ligjeve, përkatësisht të standardizimit të terminologjisë përkatëse gjatë përkthimit në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedone. Ai tha se nëse kemi ndërmjetësim, këtë mund ta bëjmë edhe kur është fjala për terminologjinë në gjuhën serbe. Në këtë mbledhja u shtrua nevoja që në të mirë të zhvillimit sa më frytdhënës të aktiviteteve integruese të rritet edhe buxheti përkatës për vitin 2009.

Edhe anëtarët e Komisionit u shprehën për një koordinim sa më të mirë të punëve në mbarë procesin drejt anëtarësimit në Unionin Evropian, duke u angazhuar për ruajtjen e vazhdimësisë së proceseve, për harmonizimin e aksioneve dhe ndërtimin e urave ndërinstitucionale në Kosovë, si dhe për një informim sa më të gjerë për proceset integruese. Ndër synimet tjera të vendit, jo më pak të rëndësishme, ishte edhe reforma ligjore, si bazë për një zhvillim më të hovshëm shoqëroro-ekonomik, për të krijuar një jetë sa më të mirë për të gjithë qytetarët.
Mbledhja e Komisionit  për Integrime Evropiane