Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 24.09.2008




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila u mbajt nën kryesinë e Gani Kocit, kryetar i komisionit, u shqyrtua kërkesa Organit Shqyrtues të Prokurimit për ndarjen e mjeteve financiare për funksionimin e OSHP-së. Komisioni i rekomandon Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave që këtë OSHP ta përfshijë në linjën buxhetore për këtë vit. Po kështu, ky Komision rekomandon që të procedohet në Kuvend edhe kërkesa e Ministrisë së Forcës së Sigurisë për sigurimin e mjeteve buxhetore për këtë ministri të re.

Përkitazi me kërkesën nr. 3312, të 10.09.2008 të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, u tha se Bordi duhet të formohet në pajtim me Ligjin mbi Trustin Pensional të Kosovës.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin e grupit punues të Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 02/L-74 mbi Auditimin e Brendshëm, i shpallur me Rregulloren nr. 2007/19, të 6 qershorit 2007. Gjatë debatit lidhur me këtë çështje u theksua se grupi punues kishte bërë një punë mjaft të mirë, ndaj edhe u mbështet kjo çështje për procedim në Kuvend.

Sa i përket shqyrtimit të Projektligjit nr. 03/L-069 për Akreditimin me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion, me amendamente dhe të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-5 për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me raportin plotësues të raportit të 27.06.2008 të komisionit funksional – Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion, me amendamente, u tha se këto dy projektligje nuk kanë implikime buxhetore, ndaj edhe u përkrah procedimi i mëtejmë i tyre në Kuvend.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa