Lajmet e fundit

Nga punimet i palëve të interesit për Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit

, 24.09.2008




Në një takim punë të palëve të interesit lidhur me përmbushjen nga Kosova të Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, në të cilën merrnin pjesë përfaqësues të agjencive të OKB-së në Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, u shqyrtuan sot mundësitë dhe aktivitetet e institucioneve të vendit, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve për përmbushjen e këtyre objektivave, si dhe u kontribuua për draftimin e Rezolutës mbi Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, e cila parashihet të miratohet me 17 tetor të këtij viti. Takimi në Prishtinë mbahej në të njëjtën kohë me samitin e nivelit të lartë të OKB-së në New York, po për OZhM-të.

Deklarata mbi Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit (OZhM), e njohur si plan prej tetë objektivave synon të:

- Zhdukë varfërinë e skajshme dhe urinë,
- Arrijë edukimin fillor të përgjithshëm,       Promovojë barazinë gjinore dhe fuqizojë gruan, - Reduktojë mortalitetin e fëmijëve, - Përmirësojë shëndetin e nënave,
- Luftojë HIV/AIDS,
- Tuberkulozin dhe sëmundjet tjera,
- Sigurojë qëndrueshmërinë e ambientit dhe
- Zhvillojë partneritetin global.

Shefi i kabinetit dhe këshilltar i lartë i kryeparlamentarit krasniqi, z.Mehmet Hajrizi, duke e përshëndetur punën e këtij seminari, ka theksuar përkushtimin e Kuvendit të Kosovës për përmbushjen e Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit dhe miratimin e një rezolute për mbështetjen e Deklaratës së OKB-së për OMZh-të. Me këtë rast Hajrizi tha: “Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit do të hapin rrugën drejt mirëqenies së gjithë popullit të Kosovës, në të njëjtën kohë edhe duke na afruar me standardet evropiane”, ndërkaq është shprehur optimist se Kuvendi i Kosovës, i përkrahur nga OKB-ja në Kosovë, do të përshpejtojë aktivitetet për të arritur OZhM-të dhe të sigurojë mirëqenien e të gjithë njerëzve në Kosovë.

Drejtori i UNDP-së për Kosovën, Maurice Dewulf, theksoi se 7 shkurti i këtij viti ka qenë ditë e shënuar, sepse atë ditë është nënshkruar marrëveshja për partneritet afatgjatë me Kuvendin e Kosovës për OZHM-të. Ai ka pohuar rëndësinë e Rezolutës si dhe kontributin e shoqërisë civile për arritjen e objektivave deri në vitin 2015, ndër të cilat ka përmendur zvogëlimin për gjysmë të varfërisë, pakësimin e vdekshmërisë së foshnjave dhe të nënave, mundësinë e shkollimit për të gjithë dhe kujdesin për mjedisin.

Prezantime të ndryshme për OZhM-të, sidomos për referencat kryesore të tyre (avokimin, afirmimin, analizën dhe veprimin) për t’i arritur objektivat, kanë bërë Lulzim Çela dhe Fatmir Haxholli, kurse ekspertja për çështje sociale dhe zvogëlim të varfërisë, Susanne Milcher (nga Bratisllava e Sllovakisë), ka ligjëruar për përvojat e vendeve të BE-së për përfshirjen sociale, duke u përqendruar sidomos për Agjendën e Lisbonës dhe krijimin e kushteve për jetë me dinjitet njerëzor.

Takimin, të cilin e ka drejtuar menaxherja e UNDP-së në mbështetje të Kuvendit, Nora Sahatçiu, e ka përmbyllur koordinatori për zhvillim i agjencive të OKB-së në Kosovë, Freude Mauring, i cili ka theksuar se Kosova duhet ta krijojë agjendën e vetë të përmbushjes së OZhM-ve dhe është shprehur optimist se Kosova do të bëhet një vend i mirë jete për të gjithë.

Nga punimet i palëve të interesit për Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit